Humbja e peshës përmes suplementeve reklamuese

Mr. Ph Laureta Kosumi, farmaciste

Kërkesat e mëdha nga ana e klientëve që na bëhen në barnatoret tona për humbje peshe në mënyrë “magjike” me tableta ose çajra të ndryshme “mrekullibërës“, me anë të të cilave mund të humbin deri në 10 kg në javë, janë të shumta dhe të përditshme.

Nuk më takon të hyjë në aspektet nutritive të organizmit të njeriut, meqënëse është fushë e dijetologjisë-nutricionizmit, fushë e cila do studime disa vjeçare, por do të ndajë shqetësimin tim rreth kësaj kërkese e cila është përherë e më shumë në rritje.

Ndoshta mund të jem edhe kritikuese e ashpër në sistemin tonë shëndetësor dhe në mënyrën e egër se si vie deri te manipulimi me shëndetin e popullit tonë, thuajse çdo ditë hasim në përshkrime të suplementeve të ndryshme, vitaminave, lëngjeve, mineraleve etj etj; nga nutricionistë, duke i udhëzuar ti blejnë në kompaninë e caktuar të suplementeve në Kosovë me çmime marramendëse, ngaqë pa i marrë këto lloje, asnjë dietë nuk kryen punë. Vërtetë e habitshme se ku kanë përfunduar shkollimin këta nutricionistë!!!

Pikë së pari, rrjetet sociale janë të mbushura me reklama të produkteve për humbje peshe me premtime të mëdha dhe marramendëse për humbje peshe në kondita javore apo mujore, të lansuara nga njerëz jo profesional, nga njerëz që shëndetin e tjetrit e shohin vetëm si biznes për reklamime të tyre dhe për përfitime tjera personale. Mirëpo, populli ynë shumëherë i prirur të besojë verbërisht ndaj atyre që i servohen, madje pa shikuar fare aspektet profesionale të lansuesve të tillë profiterë, konsumon me të madhe këto produkte të cilat fatkeqësisht janë mjaft dëmtuese për organizmit të tyre.

Këto produktet shpeshherë kërkohen dhe mirren edhe nga kategori të ndieshme siq janë fëmijët dhe gjidhënëset, duke shkaktuar dëme permanente në shëndetin e tyre.

Fillimisht, asnjë suplement, asnjë çaj apo gjëra të ngjashme për humbje peshe, nuk mund të jenë të shëndetshme, nuk mund të jenë të sigurta sepse për humbje të shëndetshme të peshës duhet balancim i duhur mes ushqyeshmërisë së shëndetshme dhe aktivitetit fizik.


Mund të thoni se të dyja janë të kushtueshme dhe të marrin kohë, mirëpo më i kushtueshëm është shëndeti ynë. Pra, realisht mënyrat e provuara dhe reale për të humbur peshë, janë në konsumimin e vakteve me ushqime të shëndetshëm (me marrjen e sasive të duhura të lëndëve ushqyese) me uljen e numrit të kalorive të tejkaluara ditore ( të mos konsumohen ushqime të shpejta dhe ushqime që përmbajnë kalori të dëmshme) dhe të jeni fizikisht aktiv.

Shitësit e këtyre shtojcave dietike mund të pretendojnë se produktet e tyre ju ndihmojnë të humbni peshë duke bllokuar thithjen e yndyrës ose karbohidrateve, duke frenuar oreksin tuaj ose duke përshpejtuar metabolizmin tuaj. Por, ka shumë pak prova shkencore që shtesat dietike mund të jenë reale për humbje peshe. Shumica janë shumë të shtrenjta, disa prej tyre mund të ndërveprojnë me barna apo ushqime tjera dhe shumë të tjera mund të jenë të bazuara në stimulues të traktit tretës, duke çuar në jashtëqitje të shpeshta me ç’rast vie deri tek dehidrimi dhe humbja e elektrolitëve dhe lëndëve tjera thelbësore për organizmin.
Të keni kujdes ngaqë një çrregullim i traktit tretës, mungesa e lëndëve esenciale për organizmin mund të çojë në pasoja të rënda, kjo është veçanërisht e rëndësishme të dihet sidomos tek njerëzit me presion të lartë të gjakut, diabet, sëmundje të zemrës, sëmundje të mëlçisë ose kushte të tjera mjekësore.

Cilët janë përbërësit në suplementet dietike?

Suplementet për humbje peshe përmbajnë shumë përbërës si: bimë të ndryshme, fibra dhe minerale në sasi të ndryshme, të cilat i gjejmë në barnatore apo dyqane që përmbajnë produkte natyrale në forma të tilla si kapsula, tableta, lëngje dhe pluhura, çajra etj.

Është e habitshme se si prodhuesit e suplementeve për shtim peshe, i kanë mjaft të mangëta studimet në njerëz për të gjetur nëse produkti i tyre është duke vepruar në mënyrë të sigurtë. Edhe kur bëhen studime, zakonisht ato përfshijnë vetëm një numër të vogël njerëzish që marrin shtojcën për vetëm pak javë ose muaj.

Ephedra, një përbërës i ndaluar nga shtesat dietike!

Ephedra është një bimë që përmban substanca që mund të stimulojnë sistemin tonë nervor, të rrisin sasinë e energjisë shpenzuese, të rrisni peshën dhe të ulin oreksin. Në vitet 1990, ephedra ishte një përbërës popullor në shtesat dietike të shitura për humbje peshe dhe për të përmirësuar performancën atletike. Në vitin 2004, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e ndaloi Ephedrën në shtesat dietike, duke konkluduar se nuk është e sigurtë. Ephedra mund të shkaktojë të përziera, të vjella, ankth, ndryshime në humor, presion të lartë të gjakut, rrahje abnormale të zemrës etj.

Çajrat me përmbajtje të bimës Sena!

Shumica e çajrave për dobësim kanë përmbajtje të lartë të gjetheve të senes, këto gjethe janë pastrues i mirë i zorrëve, veprojnë duke rritur levizshmërinë e zorrëve dhe stimulojnë instiktin e zbrazjes së zorrëve. Efekti shfaqet pas 6 deri 8 orësh pas konsumimit.
Pra, këto do duhej përdorur në rast të ndonjë obstipacioni (kapsllëku).

Efekte anësore të kësaj bime janë:
Dhimbje barku, diarre dhe ngërqe në bark. Nuk rekomandohet të përdoret mbi 2 javë, përdorimi më i gjatë bën që zorrët të humbin funksionin normal dhe kjo qon në varshmërinë e organizmit nga laksativët ( dembelizimi i zorrëve). Poashtu, marrja për kohë të gjatë shkakton edhe disbalansën e elektrolitëve në organizëm duke shkaktuar çrregullim të funksionit të zemrës, dobësi të muskujve dhe dëmtime të mëlçisë.

Ju lutem:

Jini shumë të kujdesshëm kur shihni suplementet për humbjen e peshës me pretendime joshëse, të tilla si “ tableta për dietë magjike“, “shkrihet yndyra“, “humbni peshë pa dietë ose stërvitje“, të cilat fillojnë me fjalët ” A dëshironi të humbni 10 deri 15 kg në javë” etj.
Mos u besoni, ngaqë asnjë ndryshim i shpejtë në organizëm nuk është normal, asnjë humbje apo shtim i përnjëhershëm i peshës nuk është i shëndetshëm dhe nëse i’a doni të mirën vetes dhe shëndetit tuaj, bëni durim dhe humbni peshë në mënyrë të shëndetshme, e cila mund të jetë graduale por peshë që nuk kthehet. Mos harroni se sapo të ndaloni marrjen e këtyre suplementeve kaq “çudibërëse” pesha juaj do të rikthehet e shumëherë do të vie deri te shtimi i peshës. /Familjadheshendeti.com