E duam suksesin e tjetrit apo…

Nga Laureta Berisha Kosumi

Të jesh i suksesshëm në vendin tonë, padyshim që është sfiduese dhe së pari duhet të kesh motivim të lartë për ta arritur, ose siç themi tek ne, duhet të jesh një ambicioz i lindur për të korrur sukses në çfarëdo fushe.

Flas për suksesin e arritur në mënyrë të drejtë, në mënyrë meritore, në mënyrë totalisht të lejuar nga ana njerëzore e jona, pa dëmtuar asnjëherë asnjëri;

sukses i cili të ndritë fytyrën dhe të bën faqebardhë kudo që të jesh…

Shpesh jemi vënë në situata të tilla kur kemi aplikuar në një vend pune, në një specializim apo në profilet tjera ku kemi gjetur veten. Nga ana meritore nuk kemi dyshuar që nuk do të pranohemi, pastaj për një moment shohim emrat në listën e të pranuarve dhe emri ynë nuk figuron gjëkundi. Shohim të pranuar emra të cilët na përfytyrohen përgjatë rrugëtimit tonë jetësor dhe e dimë fare mirë si kanë arritur “majat e suksesit” deri aty, pastaj të kaplon një dozë e madhe pesimizmi e mërzie dhe të duhet një shtytje e fortë për të vazhduar tutje…por vazhdon dhe ngrihesh, sepse mundi yt padyshim që do të shpërblehet herë do kur nga Zoti yt…

Dëgjojmë çdo ditë fjalitë kumbuese si :

” Filani filloi studimet në fakultetin që dëshironte, ka qenë nxënës i mirë por siç duket dikush i ka ndihmuar të hyjë, sepse ndryshe nuk do t’ia dilte…

Filania i punësua në X firmën por siç duket e ka futur dikush, pasi që si pozitë është e pamundur të arrihet për kapacitet që ajo ka…

Ose ka qenë i/ e bukur se nuk do të arrinte asgjë në jetë, duke pasur parasysh njohuritë që ka…

Ka pasur prindërit shumë të fortë financiarisht se vetë “nuk ka tru” për të arritur diçka të tillë”…

A duhet ti shikojmë gjithnjë të arriturat e tjetrit në këtë mënyrë pa qenë të sigurt se a është ashtu ?!

A na gëzon fakti se tjetri po korrë sukses apo duhet patjetër të gjejmë një shprehje të tillë nga ato lartë për t’ia m’veshur si qe ashtu si nuk qe?!

A duhet ta urojmë me zemër tjetrin për suksesin e arritur, apo me gjysmë zëri i themi të lumtë e nuk e mendojmë ashtu?!

Dorën në zemër, si popull jemi mjaft paragjykues dhe rrallëherë shohim me drejtësi. Duhet gjithmonë të jemi të sinqertë në vlerësimin që ua bëjmë të tjerëve, nuk duhet t’i fusim të gjithë në një thes sepse s’është e drejtë, s’është aspak e drejtë ta demotivojmë të mirin, të kemi dyshime se nuk qe meritor (përderisa e njohim që gjithmonë ka qenë i mirë) por duhet përgëzuar për vullnetin që ka, përkundër të gjitha sfidave, po korrë një sukses. Po ashtu nuk duhet të ngrisim jo të duhurin, pasi që nga ai vijnë të tjerë të ngjashëm e të ngjashëm, duke quar në dëmtime të vazhdueshme kudo që kalon.

Çfarë kënaqësie e madhe është të kemi njerëz të suksesshëm, njerëz të cilët atë sukses e arritën me mundin e tyre, të cilin e arritën përgjatë një rruge tërë sakrificë, tërë rrëzime e ngritje përgjatë tërë jetës së tyre dhe të cilin e derdhin në vendin tonë. E sa e sa tjerë që jetojnë jashtë vendit tonë, mbeten krenaria jonë kudo në botë me të arriturat e tyre, duke u mburrur me prejardhjen e tyre, përkundër që vendi ynë nuk hapi duart për ta, për t’ju mundësuar kthimin dhe për t’ua përmbushur ëndrrën të cilën e thurën po me qëllime kthimi!

E ata të tjerë që janë mësuar të korrin suksese në mënyrë të lehtë, pa mund, pa sakrificë, pa dije pa asgjë…pos me një prapavijë të fortë, do t’i pyesja se si ndihen kur shohin kolegët e tyre që kanë kapacitete të larta dhe janë jashtë vendeve përkatëse…

Ata njerëz të cilët do të jepnin më të mirën e tyre për vendin e tyre…

Sigurisht që tani s’ ju bën fare për ta, por u them një fjalë popullore “Askujt asnjëherë nuk i ecën kungulli mbi ujë”.

Andaj, ti përkrahim të mirët, mos ua thyejmë ëndrrat edhe nëse na duken të pamundura, ti motivojmë e ti ndihmojmë si do që të mundemi, t’ ua bëjmë të dashur vendin tonë, t’i mësojmë drejtë fëmijët tanë, ti mësojmë se suksesi i arritur vetë nuk ka çmim, kurse suksesi i arritur me ndihmën e tjetrit e pa mund e meritë, do duhet të paguhet herë do kur mjaft shtrenjtë, pasi që diplomë e punë fatkeqësisht mund të “bleshë” por jo dhe diturinë, të cilën nuk mund ta blesh kurrë pa derdhur shumë djersë dhe e cila të shpie në shtigje të lumturisë, ndërsa “blerjet” e tilla janë gjithmonë pa shpirt dhe me prapavijë të hidhur!

Puno dhe qëndro vetvetja, qëndro identiteti yt e jo “biri/ bija e filanit”!/Familjadheshendeti.com