Dr. Valbona Hysenaj Miftari, neuropsikiatre, Zürich, 18 prill ‘20

Pothuaj të gjithë njerëzit mbi tokë vuajnë, sepse bota është përplot të këqija e mbi të gjitha plot agresivitet.
Vuajtjet veçse dallojnë në intensitet nga personi në person varësisht nga perceptimi dhe nga posedimi i resurseve intrapsiqike individuale.

Vuajtjet nuk shkaktohen vetëm nga shkaktarët e jashtëm (robëritë, luftërat, virusët etj), por shumë më shumë nga mangësitë tona, duke filluar nga konfliktet e brendshme shpirtërore që i mbajmë të ndrydhura në ndërdije qysh nga ekzistenca jonë, nga mungesa e guximit për t’u ballafaquar me to, nga kokëqarjet me mentalitetin e mykur, nga moasftësia për t’iu përshtatur një sistemi tjetër apo rrethanave të reja jetësore, e sidomos nga komplekset e ndryshme dhe idetë fikse, të cilat vetëm apo së bashku i lëkundin rëndë themelet e baraspeshës sonë psiqike.

Pa baraspeshë psiqike nuk ka lumturi dhe mungesa e lumturisë është vuajtje.

Njerëzit për fat të keq nganjëherë nuk zgjedhin mjete për t’a zbutur vuajtjen. Në vend që ta kërkojnë lumturinë e tyre në gjëra të bukura, zgjedhin veprime të gabuara e të dëmshme për veten e rrethin. Lëshohen në fyerje, sharje, sulme të ulëta verbale, intriga, linçime, fajësojnë të tjerët për dështimet dhe vuajtjet e tyre.

Në këtë kohë pandemie është periudha ideale për të kërkuar të mirën në vetvete, për të gërmuar për thesarin që e kemi në brendinë tonë e për të cilin kemi harruar që e kemi duke kërkuar thesarin jashtë. Dinamizmi i egër i jetës na ka privuar nga shumë kënaqësi, duke na shndërruar në robotë në shërbim të materializmit.

Por, sot dua të ndalem tek ata me ide e mendime fikse. Ata, në vend se të rrahin mendimet e tyre edhe nga perspektiva tjera, ata ngulin këmbë vetëm në mendimet e tyre dhe reflekset e tyre të standardizuara duke injoruar çdo mendim ndryshe.

Si të dilet jashtë këtyre “katër mureve”?.

Kjo është gjithsesi e mundur, por assesi e mundur pa lexuar libra. Ky stad nuk arrihet dot vetëm me përcjelljen e portaleve apo mediave elektronike. Portalet, shumica prej tyre, sidomos ato që janë krijuar për interesa të ngushta politike, nuk kanë qëllim pasurimin e njeriut me dije universale, porse ato janë të paguara të bëjnë shpërlarjen e trurit të masës injorante me informata të njëanshme në favor të padronëve të tyre.

Pa një fije dije universale nuk arrijmë kurrë tek liria shpirtërore.
E, kur ta kemi arritur sadopak lirinë shpirtërore, çdo vuajtje e shkaktuar nga jashtë është më lehtë e përballueshme. Dija të mundëson t’a njohësh problemin deri në në palcë, të shndritë t’gjithë ato skutat e errëta të vështirësive deri tek destinacioni, pra deri tek zgjidhja.

Ndërsa mungesa e dijes, është shkaktarja më e madhe e vuajtjes. Ka plot që thonë, më të lumtur janë ata që nuk dijnë shumë. E unë mendoj që njerëzit që nuk dijnë e nuk lexojnë, janë shumë të palumtur dhe pikërisht ata na kanë lënë shumë pas.
I keni parë, ata veçse për t’u mbrojtur nga kompleksi i inferioritetit, në mënyrë kompensatore, luajnë të fortin. Janë ata që flasin më zërin më të lartë, ata që armë të vetme kur nuk pajtohesh me ta kanë gjuhën ofenduese dhe kërcënuese.
Ne njohim shumë figura të tilla e sidomos nga jeta publike.
A nuk janë ky soj që po e pengojnë më së shumti progresin tonë në të gjitha rrafshet?!

Më e keqja është që ende ka shumë njerëz që i dëgjon e i sheh vetëm ata. E të tillët janë sikur njerëzit që gjatë gjithë jetës dëgjojnë vetëm të njëjtën muzikë pa dashur të shijojnë meloditë tjera që mund t’iu shkaktojnë edhe më shumë satisfaksion. Ata jetojnë gjjthmonë “të bllokuar” nga bindjet e tyre fikse, duke fajësuar gjjthmonë përparimtarët për prishjen e “ekuilibrit” të tyre.

Më e keqja që nuk duan t’ia dijnë që ajo jetë është sikur jeta e “peshkut në akuarium” dhe po kjo mënyrë e jetesës është shkaktari më i madh i vuajtjes së tyre./Familjadheshendeti