Diabeti dhe COVID 19

Nga Ardiana Perjuci – Begolli, Specialiste Endokrinologe

Në çdo ditë e më shumë po marrim informata për korona virusin por deri më tani gjitha evidencat i rangojnë pacientët me diabet në grupin me rrezikshmëri të lartë, meqenëse shpesh kanë komplikime.

Në përgjithësi, personat me diabet janë mjaftë të ndjeshëm në çdo infeksion viral, pra duke përfshi edhe COVID 19.

Vlerat e larta të glikemisë e dobësojnë sistemin imunitar duke i dobësuar qelizat e bardha të gjakut të cilat i luftojnë infeksionet dhe si pasojë tek këta pacientë mund të zhvillohen mjaft komplikime. Një gjendje gripoze e rritë glikeminë në gjak dhe vështirëson menaxhimin e diabetit, prandaj këta pacientë shpesh përfundojnë në spitale apo kanë nevojë edhe për trajtim në mjekim intensiv.

Një menaxhim i mirëfilltë i diabetit e përmirëson dukshëm sistemin imunitar i cili i mundëson organizmit t’i tejkalojnë komplikimet më lehtë.

Prandaj përmbajuni rregullave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik: rrini në shtëpi (#rrinshpi), nëse obligoheni me dal jashtë mbani distancë 1.5 – 2 metra prej personave tjerë, lani duart, mos prekni me duar fytyrën, sytë, gojën apo hundën, si dhe shumë këshilla tjera që veç i keni lexuar.

Përdorni terapinë me rregull, siguroni rezervat. Matni glikeminë 2 -3 herë në ditë, siguroni traka rezervë.

Kujdesuni në ushqim: largoni bukën, pastat, patatet, lëngjet e gazuara, ëmbëlsirat. Pini ujë dhe lëngje pa sheqer. Merruni me aktivitet fizik. Tash ecjen apo ushtrimet mundohuni t’i bëni në shtëpitë e juaja – mos u bëni pasiv.

Të gjithë keni parasysh familjarët tuaj me diabet, mos i rrezikoni ata duke e bërë asgjë ekspozimin ndaj infektimit të mundshëm. Nuk jeni vetëm ju në pyetje por edhe familjarët tuaj me diabet, të moshuar, apo familjarët me sëmundje të zemrës apo sëmundje të rënda. Kujdesi i juaj është kujdes edhe për ta.