Dështimi i shtatzënisë, humbje traumatike emocionale

Nga Brikena Krasniqi Hoti

Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë.

Është e zakonshme dhe e shpeshte ne kulturën tonë, që çdo gruaje shtatzënë i është thënë më dhjetëra herë nga të afërmit, që të mos e zbuloj një shtatzëni deri në fund të tremujorit të parë, kur rreziku i abortit spontan zvogëlohet. Rrjedhimisht, duke e lënë të kuptohet se një shtatzëni e dështuar, është edhe një dështim ne jetën e asaj gruaje, dhe si i tillë nuk duhet të shpaloset.

Nuk është çudi, që shumë gra që pësojnë dështim spontan të shtatzënisë janë të ekspozuara ndaj sjelljeve të pandjeshme, siç janë: pyetjet se “kur ato do të mbeten shtatzënë përsëri ose thënia e famshme “mos u bën merak së tashmë e paske fëmijën si drita”.

Dështimi i shtatzënisë, më tepër shikohet dhe trajtohet nga aspekti mjekësor, ndërsa ndikimet në aspektin emocional janë kryesisht të nënvlerësuara, madje edhe nga vet profesionistët mjekësor. Tragjedia e abortit spontan, si një humbje traumatike që shumë gra e përjetojnë, kështu mbetet si një dhimbje e shtypur dhe emocione te heshtura por “mbytëse”, të cilat shpeshherë një grua është e detyruar e vetme t’i përballojë. Me e keqja duke e ndier vetën fajtore për atë që ka ndodhë.

Profesionistët e kujdesit shëndetësor, zakonisht i këshillojnë këto gra që pikëllimi do të zvogëlohet me kalimin e kohës, sidomos pas një shtatzënie të suksesshme. Mirëpo, jo gjithmonë është ashtu. Studimet e fundit kanë treguar që disa gra vazhdojnë të jenë të mërzitura nën ndikimin e kësaj humbje traumatike, shumë më gjatë se sa pritej, madje edhe pas lindjes së një fëmije të shëndetshëm. Kjo është gjithashtu e vërtetë për burrat, pasi studimet e reja kanë gjetur se burrat po ashtu e përjetojnë abortin spontan si një humbje traumatike, më shumë se sa është menduar më herët.

Pra, aborti spontan është një humbje traumatike, jo vetëm dështim i shtatzënisë, por humbje vet ndjenjës së gruas për veten dhe luhatje në shpresat dhe ëndrrat e saj për të ardhmen. Ajo ka humbur një pjesë të historisë së saj riprodhuese dhe është normale nëse vajton, qan dhe është e pikëlluar. Duke e emëruar abortin spontan, si një humbje potencialisht traumatike për gruan, ne e validojmë përvojën e saj dhe i japim kuptim ndjenjave që ajo mund të përjeton.

Kur mitet, keqkuptimet dhe informatat e gabuara për abortin janë kaq të zakonshme, është e lehtë të kuptohet se pse kaq shumë gra ndjehen të izoluara pas përvojës se dështimit të shtatzënisë. Prandaj, është e udhës që të mos i pakësojmë efektet që ka një abort spontan në gjendjen emocionale të gruas, ose ta konsiderojmë si një humbje të parëndësishme, pavarësisht faktit nëse ka fëmijë tjerë, apo nëse ka abortuar në tremujorin e parë apo më vonë. Mos vazhdoni duke i thënë asaj se nuk është punë e aq madhe dhe se mund të mbetet përsëri shtatzënë. Nuk keni të drejtë të supozoni mbi fertilitetin e askujt dhe mos jepni këshilla kur nuk u është kërkuar. Shmangni spekulimin mbi shkakun e abortit ose mos thoni gjëra që gruaja mund të kishte bërë ose do të duhej të këtë bërë, që të kishte parandaluar abortin, pasi kjo mund të ushqejë një ndjenjë turpi dhe faji të panevojshëm, madje dërmues.

Është normale për një grua që ka pasur një dështim të shtatzënisë, të përjetojë dhimbje intensive emocionale, dhe mos u habitni nëse i duhet kohë që ajo të ndihet fizikisht dhe emocionalisht mirë. Të gjithë njerëzit janë të ndryshëm, rrjedhimisht edhe gratë mund të reagojnë në mënyra të ndryshme pas një përjetimi të tillë. Disa duan të flasin për këtë, të tjerët nuk e bëjnë. Nuk ka mënyra të drejta ose të gabuara për t’u ndjerë ose për të bërë diçka të caktuar. Nëse doni të ndihmoni, pyeteni nëse ka nevojë për ndihmë dhe mos u hatroni çfarëdo përgjigje që mund të merrni.

Një grua që ka pasur një abort spontan është në rrezik për simptomat e depresionit dhe ankthit edhe në vitet e mëvonshme, dhe po ashtu më e rrezikuar për depresion pas lindjes. Pasiguria që gratë ndjejnë pas një dështimi të shtatzënisë, kontribuon në një nivel të lartë të ankthit. Shqetësimet përfshijnë pritjen për kthimin e cikleve menstruale, dëshirën dhe mos durimin për të mbetur shtatzënë përsëri, rrezikun e dështimit të përsëritur dhe frikën rreth aftësive të tyre riprodhuese. Ndryshimet hormonale të zakonshme pas abortit, mund të intensifikojnë këto përjetime emocionale.

Në anë tjetër, të gjithë e dimë që ka një sh’përputhje të madhe midis nevojave të pacientit dhe praktikave aktuale mjekësore, e që në anën tjetër praktikat dhe normat tona shoqërore sa i përket grave nuk janë për tu lavdëruar. Kështu mbesin prapë gratë, të vetme për të kërkuar ndihmën që kanë nevojë, dhe jo gjithmonë e marrin atë që ju duhet.

Pra, mbani mend: jo vetëm që ankthi dhe depresioni mund të jenë të zakonshme pas një dështimi të shtatzënisë, por këto simptoma kanë tendencë të vazhdojnë edhe pas disa vitesh.

Por në të gjitha rastet mund të ndihmojë që dikush të flasë më të: dikush që do ta dëgjojë pa bërë gjykim ose duke u përpjekur ta gjallërojë disponinim e saj. Nëse nuk mund t’i ndihmoni në asnjë mënyrë, referojuni tek një psikolog klinik apo psikoterapeut. Edhe për një kohë të shkurtër, psikoterapia mundtë ndihmojë të përpunoj dhe të tejkaloj këto vështirësi./FamiljadheShëndeti