Çrregullimet obsesivo-kompulsive

Nga Dr. Valbona Hysenaj Miftari
Specializante në psikiatri dhe psikoterapi, Zvicër

TORTURIMI I VETVETES

Pothuajse të gjithë e njohin fenomenin: a e kam mbyllur makinën? A e kam ndalur shporetin ose hekurin?
Disa kthehen pasi të kenë mbyllur derën edhe një herë për të kontrolluar nëse i kanë lënë gjërat në të vërtetë në rregull. Të tjerë porosisin anëtarët e familjes pasi të kenë dalur që të shikojnë nëse i kanë shkyqur aparatet nga rryma. Dikujt i duhet disa herë për ta lexuar një dokument të rëndësishëm për të siguruar se asnjë gabim nuk është në të. Për disa të tjerë është veçanërisht e rëndësishme që shtëpia të jetë gjithmonë e rregulluar dhe e fshirë, disa duhet ti lajnë duart disa herë radhazi e kjo ndodh shumë herë në ditë nga frika e infeksioneve. Disa e kanë shumë vështirë për ti hudhur gjërat, edhe në qoftë se ato janë të papërdorshme. Shëmbuj të tillë janë të shumtë ndërsa veprimet e tilla nganjëherë janë normale madje edhe të dobishme. P.sh. që të evitohet vjedhja e makinës ose shtëpisë është më mirë të sigurohesh se a e ke mbyllur, ose që t’mos vie deri te djegia e shtëpisë është më mirë të kontrollohen pajisjet e rrymës ose gazit 2 herë. Mirëpo, se kur fillojnë këto veprime të bëhen patologjike dhe të mundimshme për vetë personin si dhe për rrethin ku jeton, shikoni në rreshtat në vijim.

Problemet lindin, kur prirja për të kontrolluar gjërat ose për të pastruar shtëpinë etj. rritet shumë. Kjo prirje mund të dominojë terësisht tek personi dhe të udhëheqë personin e prekur duke i shkaktuar vuajtje të konsiderueshme në jetën e përditshme.

Patologjike është p.sh. kur edhe pas kontrollës dhe mbylljes së derës, personi kthehet edhe 1 herë, 2 herë….shumë herë për ta kontrolluar në e ka mbyllur apo jo, ose nëse shembull tjetër; nëse çdo ditë duhet pastruar shtëpinë komplet, një fenomen shumë i shpeshtë i grave tona. Dikush “duhet” pastruar dorëzat e dyerve pas vizitës së mysafirëve, ulëset ku janë ulur mysafirët etj. pastaj “duhet” bërë vendosjen shpejt të gjërave në rregull ashtu në mënyrë simetrike siq e do truri i tyre nën tension.
Ata vuajnë nga mendime të cilat nuk mund ti kontrollojnë, mendime të shoqëruara shpesh nga një frikë e pashpjegueshme e në raste të shumta nga frika se diçka e keqe mund të ndodhë poqëse nuk i kryen veprimet e caktuara. Është një impuls, një thirrje e brendshme, një luftë me mendimet negative dhe torturuese. Personi nuk mund tu rezistojë këtyre mendimeve dhe vetëm atëherë kur i kryen veprimet e caktuara ( kompulsionet) “shtëpia e pastër është shtëpi e lumtur”, arrin pë ta ulur tensionin e brendshëm mirëpo vetëm për një afat të shkurtër.

Mendimet dhe fiksimet e tilla quhen pra OBSESIONE. Ato dërgojnë në veprime ose detyrime që quhen KOMPULSIONE.

Këto mund të jenë siq u cek më lartë të llojllojshme si kontrollimi i gjërave, pastrimi i duarve, mirëmbajtja e shtëpisë në mënyrë të tepruar, detyrimi për të pyetur edhe njëherë, detyrimi për të numëruar, detyrimi për ti vendosur gjërat në mënyrë simetrike në kuzhinë, në zyrë etj Mirëpo këto impulse detyruese mund të jenë edhe shumë të rrezikshme dhe të dërgojnë në delikuencë si p.sh. shtyerja për pedofili, inceste, veprime hakmarrjeje e deri tek vrasja ose vetvrasja.

Çrregullimet obsesivo- kompulsive mund ti takojmë edhe tek fëmijët mirëpo më së shpeshti fillojnë në pubertet.

SHKAKTARËT:
Dyshohet që çrregullimi i metabolizmit të neurotransmiterëve në tru përkatësisht çrregullimi i funksionit në disa regjione të trurit ( ganglionet bazale, sistemin limbik dhe korteksin frontal) të jetë njëri nga shkaktarët. Funksioni i këtyre strukturave trurore varet nga neurotransmiterët serotoninë dhe dopaminë të cilët janë përgjegjës për kontrollimin e impulseve, disponimit, seksit dhe ankthit. Por edhe faktorët psikologjikë si frika, pasiguria, pastaj trashëgimi ose keqtrajtimet fizike dhe seksuale mund të luajnë rol vendimtar në paraqitjen e çrregullimeve obsesivo- kompulsive.

Teoria e ekspertëve të psikoanalizës:

Sipas teorisë së psikoanalistëve çrregullimi ka prejardhje nga faza anale e fëmijërisë e cila fillon rreth vitit të dytë ose të tretë të jetës.
Gjatë kësaj kohe fëmijët fitojnë kontrollin arbitrar të muskujve të sfinkterëve analë dhe urinar dhe kryerjen e nevojave fiziologjike e përjetojnë si kënaqësi.
Trajtimi i rreptë nga prindërit në këtë fazë, mësimi në mënyrë rigoroze se si të jenë të pastër, pritja e madhe e prindërve që ata t’mos gabojnë, kritikimi I vazhdueshëm, bën që fëmijët në të ardhmen të jenë shumë të ashpër me vetveten, të anojnë kah perfeksionizmi, vetëm e vetëm si tentim për ti evituar gabimet.
Ata janë të preokupuar shumë me detale, rregulla strikte, janë tepër pedantë, moralizojnë shumë, kritikojnë, janë këmbëngulës në qëndrimet e tyre.

Psikoanalistët e quajnë këtë çrregullim – neuroza obsesivo- kompulzive.

Megjithatë se nga e ka prejardhjen ky çrregullim 100% është vështirë të dihet.

Simptomet e tilla mund takohen edhe si simptome sekondare edhe te shumë sëmundje tjera psikiatrike, si depresioni, çrregullimet hipokondrike dhe të ankthit, alkoolizmi, anoreksia ose bulimia etj. Tek shizofrenia shpesh është një ndër simptomet kryesore në stadin fillestar. Mund të takohet aty këtu edhe tek skleroza multiple ose epilepsia.

DIAGNOSTIFIKIMI: nëse simptomet janë prezente së paku dy javë dhe se kur këto simptome vështirësojnë dhe rëndojnë aktivitetet e përditshme, kjo flet për një diagnozë të tillë.
Duhet pasur kujdes megjithatë në diagnostifikimin e saktë- se a është çrregullimi obesesivo- kompulsiv primar apo si i vetëm apo është simptom dytësor në kuadër të depresionit, ankthit, shizofrenisë etj.

MJEKIMI: 
Terapia medikamentoze dhe psikoterapia janë zgjedhja e duhur. Më së miri kombinimi i të dyjave do të shpiente në zbutjen e vuajtjeve si dhe kontrollimin e impulseve. Medikamentet ndikojnë pozitivisht në funksionet e çrregulluara trurore si dhe arritjen e baraspashës së serotoninës në tru.

Efekti i medikamenteve fillon tek pas 2-3 javëve për të arritur një kënaqshmëri tek pas rreth 10 javësh. Trajtimi konsiderohet i suksesshëm nëse personi ndjehet subjektivisht më mirë dhe në jetën e përditshme nuk ndihet nën tension të vazhdueshëm.

Psikoterapia sie p.sh. terapia kognitive e sjelljes, ekspozicioni, terapitë e ndryshme relaksuese, teknikat e ndërprerjes së mendimeve të ashtuquajturat STOP-mendimet (sapo të vijnë mendimet torturuese tu thuhet STOP dhe me kohën truri arrin t’mos i njeh si mendime të tilla) kanë për qëllim arritjen e kontrollit mbi mendimet dhe veprimet e lartëpërmendura. Në psikoterapi është më rëndësi ti involvojmë edhe familjarët të cilët jo më pak se sa vetë pacienti vuajnë.

Ky çrregullim kalon në të shumtën e rasteve në kronicitet. Mirëpo nëse fillohet sa më herët me trajtim adekuat, prognoza e sëmundjes mund të përmirësohet dukshëm. Para së gjithash mund të arrihet një kualitet më i mirë i jetës.

Dihet që për ti kryer ritualet e caktuara nevojitet mjaft kohë, kështu që për aktivitetet e dobishme me familje ose aktivitetet profesionale mbetet pastaj pak kohë. Kështu që këto çrregullime janë nganjëherë edhe shkaktare të divorceve ose ka raste ku partnerët duke u munduar t’u përshtaten partnerëve me çrregullime të tilla viktimizohen vetë, pra duke tentuar për t’iu shmangur konfliktit kalojnë vetë në shprehi të tilla.
Të jetuarit nën obsesion është torturë e vërtetë. Është sikur të jetosh tërë kohën në gjëndje alarmi.
“Kur do gjithçka të kesh nën kontroll, atëherë nuk do t’mund të kënaqesh me asgjë”. /Familjadheshendeti.com