Çka do më veç shpirtit tim o i mjeri gurbet?!

Shkruan: Blerina Ademi Sahiti

Mbaj mend si sot, fort i ri, hala pa i mbush 19 mora rrugën pa e ditur se ku, e vetmja gjë që e dija ishte emri yt gurbet…
Mbaj mend si sot, hala pa i mbush 19 , baba plak mi kish tubue paret për me m’bo me leje të kerrit , se ishin plak edhe ai e edhe nana, e banonim n’katund , i duhej me u en për mjek e në atë kohë veç t’shtundeve vinte autobusi deri te katundi jonë , për ditë pazari dilnin pleqtë e kryefamiljarët ose me shit djath e maz , ose me ble hargjin e shpisë… e qe besa gratë mezi e prisnin ditën e shtunë se dilnin burrat n’shehër e si sillnin ndonjë lajm nga opçina , se n’atë kohë nji here në verë e nji here në dimër shkonin në opçinë…
M’kujtohet si sot, kur i pata mbush 18 vjeç , nana jem m’pat gatue drekë tamam si n’bajram , e qe besa edhe tamël oriz m’pat zie, aq u g’zue e tan ditën e gat më uronte lum nana edhe lirën kam me shit e me t’bo nana ty me dramp ( kerr ) e me que nanën herë te dajt e herë te mjeku kur asht nevoja , e mos me prit mo autobusin shtunëm shtune…
Eh, gurbet… çka do më veç shpirtit tim ?!
A ki gojë me m’kallxue allahile ?!
Hala pa i mbush 19 vjet , baba m’i kish tubue gati 700 marka n’atë kohë e nana donte me shit lirën ,e me ble dramp e qe besa haberin s’ia kishin veç golf dysh me dy dyr thojshin kena me ble…
Me dy dyr golfin t’njajt si t’kusherive n’mahallën posht, abazoviçe,se ata vitin e kaluem e kishin ble tu tubue para me shitje t’gjave, e tash shtunem shtune s’ju vinte mo qudi as me pa autobusin n’katund…
E qe besa livdoheshin anëm anë e zani i kish pas dal si ma t’pasunit n’katund n’atë kohë.
M’kujtohet si sot, tamam si me pas ndodhë dje , edhepse si kisha pa mbush unë hala 19 vjeç, Hashimi i biri i Halitovitve , ish pa bo gati me u nis për gurbet , e shkojke derë derë me u përshëndet me katund e me ja lyp hallallin, se n’atë kohë ashtu e lypte adeti, me marr udhë t’largtë pa u përshëndet t’dilte zani keq…
I ri isha edhe unë, e i riu axhami thojnë s’mendon ma larg e lakmon fort shumë, e bona llaf me babën e i thashë e mira e t’mirës o bab paret që mi ke tubue me ma pague udhën e me u nis edhe unë me Hashimin.
Centë për cent o bab t’i kthej mas dy a tri vjete se atje ka punë pa nal , tuboj o bab e edhe drampën si t’vij n’verën e par o bab ta blej e t’shetiti për shehër ty e nanën…
Ju vrenjt ftyra babës fort , po za s’nxjerri , e as po e as jo s’mtha.
Ram e flejtëm at natë pa than sen shoqi shoqit.
N’sabah herët të asaj dite, nana kish gatue bukë t’nxehta e maz me speca, dy a tri grosha djath e pak patligjana… përditë njëjtë e hanim kaftjallin se u dashke me kursye e me tubue pare , kohna të vështira ishin e menzi për bajram do mish e m’mrrijshim me hangër.
Hala pa e përzie mirë çajin e dytë baba ia boni me krye nanës, se në atë kohë fort s’kanë fol burr e grue e veç me isharete janë kuptue, e ajo u que shkoj e lypte diçka përfundi tepie…
E nxjerri ni mindil e mrena n’to ishin paret që i kish tubue baba për me ble drampën.
Qu m’tha Sabri, po shkojmë te Elezovit ,bojna llaf e me t’hallall i paq k’to pare , e Zoti udhën ta ndriçoftë, qashtu po ki qef e qashtu ja bojna bab’s , sado rand me m’ardh , baba ty s’ta prish…
Unë e nana jena plak e s’dihet mo a na gjen gjall, po ti Sadri , kurr shpin e bab’s mos e shit, edhe fort t’u ngushtofshin punt, vjen e çel derën për ni dit t’mir a ni t’pane…
Çka do më veç shpirtit tim o gurbet ?!
Ja dhash fjalën prindve që verën e parë n’pushim me dramp ka me i bo… ama vera e parë e jemja n’Kosovë mas plot 13 vjete ke , azilant e nëpër kampe gjithë ato vjet e tri her n’mot mot n’telefon folshim me prind edhe ata veç te Elezovit se veç ata kishin telefon fiks n’atë kohë e na kushtojke ma lirë aty…
Tri herë n’mot mot dy vjet e para e vitin e tretë , asnjanit zanin mo s’ja niva…
I kishin shti n’dhe … babën pa u bo pranvera e nana masi ish korr grunia…
Çka do më veç shpirtit tim o gurbet ?!
Sot, edhe flokt e mia janë zbardh, jo pse i kam bo vjet , se hala 36 si kam, po pse gurbeti n’dy gujt m’ka qit e qe besa hala martue s’jam…
Bari e ka m’lue shpinë e babës , e me shit kurrën e kurrës se shes…amanet baba ma pat lan me gojë e qe besa deri t’vdes s’kam me harrue…
Tash edhe vorret ja kam marrue me merrmer e zall t’imtë, e qe besa jo golf dysh me dy dyer po edhe dramp model ma t’ri kam ble…a ia vlejti gurbet ?!
Çka do më veç shpirtit tim?!
Floktë mu kanë zbardh, e rrudhat para kohe ftyrën ma kanë mbulue…
Sabri ,hala pa i bo 19 vjet kush ishe , e tash 36 po don mi mbush kush je!
Eh, Sabri… dikur kaftjallin me bukë t’nxehta t’gatuem e andrrojshe kaftjallin e atyne me bukë t’bleme, e sot çka s’kishe dhanë kohën me kthy apo ?!
Koha s’kthehet mo !
Duart i ngre drejt qiellit e lus Zotin me m’fal për mërzinë nanës e babës që ia kam shkaktue…
Çka do më veç shpirtit tim o gurbet i mallkuem ?!