Çfarë duhet bërë për të pasur ushqime të sigurta?

Nga MSc. Alkend Tahirsylaj

Siguria ushqimore është një nga elementet më të rëndësishme të produkteve bujqësore dhe një nga kërkesat themelore të Bashkimit Europian.

Për ta bërë më të qartë se si duhet të jetë siguria ushqimore ekzistojnë disa rregulla të thjeshta:

Duhet të ketë një garanci që prodhimet ushqimore nuk janë të rrezikshme përshëndetin e konsumatorëve.

Duhet të merren masa dhe të krijohen kushte të nevojshme për të shmangur rrezikshmërinë dhe për të garantuar higjienën e prodhimeve ushqimore.

Emergjencat për sigurinë ushqimore në Europë këto vitet e fundit (lopa e çmendur dhe dioksidet) kanë dëshmuar se siguria e ushqimeve dhe reduktimi i rreziqeve për njeriun janë të lidhura ngushtët me menaxhimin korrekt të të gjitha fazave të prodhimit.

Helmimi i ushqimeve vjen kryesisht nga burime biologjike dhe kimike: mikrorganizmat patogjenë, mikrohelmet dhe kompozime të ndryshme kimike. Në përgjithësi mendohet se rreziqet më të mëdha për shëndetin e njeriut vijnë nga helmet kimike, siç janë pesticidet. Në fakt pjesa më e madhe e helmimeve është me origjinë biologjike, ose më saktë mikrobike. Prandaj dhe cilësia mikrobiologjike e ushqimeve është një aspekt thelbësor për vlerat e tij. Ushqimet më të prekura nga këto lloj helmesh janë drithërat, frutat dhe perimet, si dhe frutat e thata, po kështu janë dhe djathërat, sallamrat, qumështi, mishi dhe vezët. Ushqimet, si prodhimet bimore, ashtu dhe ato me origjinë shtazore, mund të jenë pre e helmimit edhe prej substancave kimike, dhe kjo vjen gjatë procesit të prodhimit apo transformimit të tyre. Në ushqimet bimore, helmimi kimik mund të vijë si rrjedhojë e përdorimit të pakontrolluar të produkteve fitosanitare (pesticideve), ndërsa tek ato me origjinë shtazore nga përdorimi i hormoneve dhe i ilaçeve. Të tjera substanca kimike janë ato që përdoren për ruajtjen, transportin dhe shitjen e ushqimeve të ndryshme.

Cilat janë këshillat praktike për të kufizuar rrezikun nga ushqimet

Ushqimet duhet të jenë të shoqëruara me etiketa të prodhimit, që në fakt janë dhe si pasaportë për produktin që doni të tregtoni. Në të jepen informacione të dobishme për origjinën dhe prejardhjen e produktit, përbërjen, përbërjen mikrobiologjike dhe data e skadencës. Duhet që prodhimet që janë të ambalazhuara, të mos jenë të dëmtuara kur arrijnë në treg.

Duhet që produktet të jenë të ndara nga njëri – tjetri, p.sh në një kosh të jenë frutat dhe në koshin tjetër produktet blegtorale.

Sipas rasteve dhe produkteve, ushqimet duhet të ruhen në frigorifer në temperatura të ndryshme, për të bërë të mundur ruajtjen e vlerave ushqyese, si dhe mos prishjen e tyre nga mikroorganizmat.

Duhet të evitohet shkrirja dhe pastaj ngrirja e produkteve. Duhet të evitohet shkrirja e produkteve ushqimore me ujë të ngrohtë, pasi kjo mund të sjellë zhvillimin e mikroorganizmave të ndryshëm. Duhet që ushqimet si qumështi, djathi apo sallami të mbahen në frigorifer deri në momentin e nxjerrjes në treg, po kështu dhe peshku.

Mos lejoni që produktet tuaja të përmbajnë më shumë se ç’duhet pesticide, hormone apo ilaçe të ndryshme./FamiljadheShëndeti

Shpërndaje
  •  
  •  
  •