‘Arsimi kosovar i mbyt fëmijët në teori dhe nuk u dhuron mundësi ta jetojnë mësimin në praktikë’

KultPlus ju sjellë fjalimin e Trina Hotit në Kuvendin e Kosovës në shënimin e Ditës së Konevntës për Fëmijë. Trina Hoti është kryetare e grupit monitorues të Konventës për të drejtat e fëmijëve Respect Our Right-ROR.

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, zotëri Kadri Veseli, e nderuara Kryesuese e zyrës së BE-së në Kosovë, zonja Nataliya Apostolova, e nderuar Kryetare e komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore dhe peticione, zonja Duda Balje, e nderuar Kryetare e Grupit te grave deputete, zonja Mexhide Mjaku, të nderuar ministra, të nderuar deputetë, të nderuar përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, zotëri Hajredini dhe zotëri Borovci, të nderuar kryesues të organizatave UNICEF, Save the Children dhe OJQ Syri i Vizionit, zotëri Sahin, zotëri Kryeziu, zotëri Mujaj, të nderuar anëtarë të Grupit Respect Our Right-ROR dhe të dashur fëmijë e dashamirës të këtij takimi, përshëndetje!

Unë jam Trina Hoti, kryetare e grupit monitorues të Konventës për të drejtat e fëmijëve Respect Our Right-ROR dhe kam nderin dhe kënaqësinë që të kem fjalën në emër të delegacionit të fëmijëve të pranishëm sot dhe në shërbim të këtij takimi, që uroj të jetë më shumë sesa simbolik për këtë 20 Nëntor.

Fillimisht, më lejoni që të falenderoj gjithë organizatorët e këtij takimi i cili vlerësohet lartë nga ne për këto arsye:
Një vit më parë, në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës u mbajt një séancë me më pak polemika nga ato që mbani ju, e udhëhequr nga fëmijët të cilët njëzëri miratuan Rezolutën për të drejtat e fëmijëve, një akt i hartuar nga vet ata.

Sot, pas një viti, jemi po ata fëmijë të cilët duam të shohim se çka është bërë nga momenti i dorëzimit të saj tek krerët e vendit;se sa kanë zënë vend rekomandimet tona në agjendën tuaj, se a janë shndërruar kërkesat tona në prioritet për ju apo thjesht janë lënë në harresë?!

Këto janë disa nga pikëpyetjet tona që kërkojnë zgjidhje nga përgjigjjet tuaja.
Andaj, më lejoni që ta shfrytëzoj këtë fjalim për të përfaqësuar zërin e të gjithë fëmijëve të Kosovës pa dallim në rreshtat e Rezolutës dhe jo vetëm.

Rezoluta e lartcekur, qëndron në linjë me Kushtetutën e vendit, Konvetën për të drejtat e fëmijëve dhe me Objektivat Zhvillimore të Qëndrueshme, ku kjo Rezolutë përpos që promovon rëndësinë që fëmijët të jenë protagonist dhe jo shikues të proceseve vendimmarrëse që lidhen me ta, poashtu pasqyron kërkesat që në parim janë esenciale për sigurimin e plotë të mirëqenies për çdo qytetar vendi.

Gjersa për shoqëritë botërore fëmijët janë pjesa më e rëndësishme, për Kosovën fëmijët janë më shumë se aq, janë aset shtetëror dhe pasuri.
Edhe pse Kosova gëzon popullsinë e re, kjo s’do të thotë se lirohet nga përgjegjësia për mirëkujdesin që duhet të tregojë ndaj fëmijëve.
Dëgjoj shpesh fjalinë se ‘’fëmijët janë e ardhmja e vendit’’ por duhet të jemi të vetëdijshëm se për një të ardhme të tillë duhet të gëzojmë një të tashme të mirë.
Kështu që, edhe pse fëmijët për Kosovën janë pasuri, ata nuk janë prioritet superior i agjendës shtetërore.

Ne mund të posedojmë akte ligjore që sigurojnë zhvillimin cilësor dhe adekuat, të cilat janë të bukura në letër por të shëmtuara nga ngecja e tyre në praktikë.
Dhe për këtë fakt duhet që më shumë sesa ta pranojmë si të tillë, ta ndryshojmë atë.

Të drejtat e fëmijëve siç janë e drejta për arsim, përkujdesje shëndetësore, mbrojtje nga dhuna janë disa nga shumë të drejta të cilat janë sfiduese në zbatim në Kosovë.

Gjendjen reale të të drejtave të fëmijëve do të doja që t’ia filloj nga ajo që është më e shtrenjta për gjithsecilin nga ne, familja.
Të gjithë pajtohemi që familja është bërthama e shoqërisë, rrjedhimisht shoqëria është veçse termi që bën bashkë familjet.

Mirëpo ju ministra dhe zyrtarë si do të përgjigjeshit në pyetjen time se si është gjendja e respektimit të të drejtave të fëmijëve në familjen kosovare?
Unë mendoj se ajo është e barabartë me nivelin e mirëqenies në atë shtëpi.

Shtëpia e një shteti që ofron mundësi dhe zhvillim do të kishte dy prindër të shkolluar nga universitetet që ofron shteti dhe dy prindër të punësuar nga tregu i punës që investohet nga shteti.
Këta prindër do t’ia siguronin fëmiut të tyre një fëmijëri më të shëndetshme, sepse do të kishin mundësi ta dergonin në spitalin e reformuar publik me të gjitha shërbimet dhe pa mungesë mjetesh e jo në atë privat, këta prindër do ta rrisnin një fëmijë pa dhunë sepse do të zbatonin programet për prindërim të dhëna nga shteti, do të nxisinin fëmiun e tyre për të vijuar studimet aty ku ka talent sepse shteti do e përkrahte zhvillimin e talentit të tij.

Një familje që fuqizohet nga shteti për plotësimin e nevojave të fëmijëve dhe rritjes mbarë të tyre prodhon të pashkolluar më pak, kriminelë më pak, prodhon kapital njerëzor kualitativ dhe jo kuantitativ.

E unë mendoj që paralelisht me investimin në shtëpinë ku rritet fizikisht e psikisht fëmiu duhet të inevestohet edhe më shumë në shtëpinë ku rritet diapazoni i dijes së tij, pra në shkollë.

Shumë fëmijë të Kosovës, mësojnë sot në shkolla pa pajisje ose pa salla sportive, pa banjo, pa kabinete shkencore.
Sot, arsimi kosovar i mbyt fëmijët në teori dhe nuk u dhuron mundësi ta jetojnë mësimin në praktikë.
Sot, kemi çanta kilogramëshe në shpinën e fëmiut dhe tekste shkollore të vjetra.

Sot, kemi zbatim të kurrikulës që kërkon përdorimin e teknologjisë edhe pse shkolla ka mungesë kompjuterësh.
Sot, gjeni gjimnaze ku nxënësit kryejnë nga dy teste në ditë e shkolla profesionale ku gjenden nxënësit më problematikë.
Sot, gjeni pak adoleshentë të prirur pas leximit e shumë të dhënë pas kafeneve prapa shkollës.
Sot, gjeni dhjetëra nxënës që urrejnë shkollën sepse mësimdhënësi s’mund t’i menaxhojë ndjenjat dhe shqetësimet e 30 nxënësve në klasë.
Sot, gjeni dhjetëra maturantë të cilët duan të ikin jashtë vendit për studime dhe jetë më të mire.
Akoma dhe sot në shkolla përdoret ndëshkimi si mjet disiplinimi dhe bullizmi si mjet për të zënë miqësi.
Mungesa e psikologut në shkolla për t’i adresuar këto shqetësime është evidente.

Duhet pranuar që këto dukuri po shkatërrojnë paqësinë e fëmijëve dhe adoleshentëve.
Më shumë se kurrë, kemi prani të armëve të ftohta apo substancave narkotike në shkolla dhe zbehje të madhe të leximit.
Fatkeqësisht nxënësi i shkëlqyer demotivohet e anashkalohet nga shoqëria para nxënësit që cilësohet si ‘’mbret i kopjimit’’.
Sot, presion nga prindërit e rrethi janë pesat e renditura në librezë edhe pse me njohuri bosh.
Sot, ne jetojmë në shekullin e teknologjisë por mijëra kilometra larg, jetojnë fëmijë me furnizim të ndërprerë të ujit, energjisë elektrike apo mungesë të këndeve të lojërave.

Këto janë dsa nga çështjet të cilat dalin nga pikat e Rezolutës, kur ne duam arsim cilësor e gjithpërfshirës që na zhvillon shkathtësitë e shekullit 21 dhe inovacionin, kur ne duam shkolla të sigurta për ne, kur ne duam zhvillim të duhur, kur ne duam prindër të infomuar mbi kujdesin tonë, kur ne duam punësim të prindërve tanë, kur ne duam luftë kundër drogës dhe dhunës, kur ne duam pjesëmarrje aktive në vendimmarrje.

Të nderuar të zgjedhur të popullit, investimi në ne veçse lehtëson obligimet si shtet ndaj nesh kur do të jemi pensionistë në të ardhmen.

Të nderuar ministra, mos na anashkaloni në një çështje që lidhet me ministrinë që drejtoni por ‘’s’është kompetencë e juaja’’, kontriboni për përmirësimin e jetës sonë që nesër ne të jemi kontribut-dhënësit më të mëdhenj për shoqërinë!

Në fund, dua t’ju falenderoj për hapësirën dhe uroj të shihemi në formate të ngjashme sa më shumë e sa më shpesh!

Gëzuar 20 Nëntori dhe faleminderit për vëmendjen! /KultPlus/
/Familjadheshendeti.com