Depresioni është një nga gjendjet më shkatërruese që mund të godasin një person.

Shumica e njerëzve e identifikojnë depresionin me një ndjenjë të zakonshme mërzie e pikëllimi, por kjo nuk është e saktë. Depresioni dhe pikëllimi nuk janë të njëjta. Ata janë të lidhur, por nuk janë të njëjtë.

Pikëllimi, njejtë si lumturia, frika ose dashuria, është një nga emocionet themelore që njohim. Kështu, atë e karakterizon përkohshmëria, njejtë si të gjitha emocionet e tjera. Ai zgjat për një kohë të caktuar, zakonisht pasi të keni përjetuar ndonjë humbje, pastaj shkon duke u zbehur gradualisht. Kryesisht, personi është funksional, dhe jeton e punon sikurse më parë.

Kurse depresioni është një gjendje që zgjat. Zgjat shumë kohë dhe nuk ndalet. Me muaj. Ose me vite. Personi është jashtëzakonisht i pikëlluar, i pavullnetshëm dhe me mungesë të shpresës. Mungesa e vullnetit për të punuar përsëritet nga dita në ditë, me humbjen e oreksit ose konsumimin e tepërt të ushqimit, çrregullim të ritmit gjumë – zgjim, ndjenjën e vazhdueshme të “dështimit” në jetë dhe të ndjerit i pa vlerë. Depresioni shoqërohet me mendime të errëta, të tipit: “nuk besoj se problemet e mia do të zgjidhen”, “nuk ka shpresë, jam i pafuqishëm”, “gjithmonë do të jetë kështu”.

Nëse një besimtar goditet nga kjo sprovë, ai zakonisht nuk u tregon të tjerëve për këtë. Më shpesh nga frika e paragjykimit dhe zhvlerësimit. Sepse, një besimtar nuk mund të depresionohet. Apo ndoshta …?

Në shumicën e rasteve, depresioni shkaktohet nga të menduarit jofunksional, negativ dhe nga një nënçmim i tepruar i vetvetes dhe aftësive të tij. Ndonjëherë është rezultat i ndonjë humbje të madhe që ai person ka përjetuar dhe nuk mund ta tejkalojë aq thjesht. Ndonjëherë shkaku është gjithashtu i një natyre organike, andaj rekomandohet kryerja e testeve shëndetësore. Disa persona me depresion dhe probleme ankthi në të vërtetë kanë edhe probleme me funksionim të gjëndrës tiroide.

Pra, shkaqet janë të ndryshme, por një gjë është e sigurt. Kjo gjendje e rëndë e shpirtit dhe trupit shkatërron çdo dëshirë për të jetuar, punuar dhe përmbushur qëllimet e tij, dhe dëmton thellësisht si jetën personale ashtu edhe atë familjare dhe shoqërore të individit. Këtë mund ta kuptojë vetëm një person i cili ka kapërcyer nëpër këtë gjendje. Depresioni duhet të luftohet në të gjitha mënyrat e lejueshme, sepse depresioni krijon dëshpërim dhe dëshpërimi nuk është i lejuar për besimtarët.

Gjithashtu, le të përpiqemi të mos gjykojmë askënd që po kalon nëpër një situatë të ngjashme, nëse ai tashmë na ka besuar problemin e tij. Fakti që jemi besimtarë, nuk na bën imunë ndaj të gjitha llojeve të vështirësive dhe sprovave që mund t’i ndodhin kujtdo. Mbani në mend se jo të gjithë njerëzit kanë të njëjtin nivel të njohurive mbi besimin, dhe ka të ngjarë që sprovat e ndryshme në jetë t’ia kenë dobësuar besimin në zemër. Disa njerëz kanë një rrjet të dobët social që do t’i mbështesë ata në kohët e sprovave dhe vështirësive. Të tjerët kanë prapa tyre një fëmijëri të vështirë dhe një jetë përplot me trauma dhe kujtime të këqija. Në të vërtetë, askush përveç Zotit nuk e di se çfarë ka në jetën dhe zemrën e një personi tjetër. Më poshtë do të përmendim disa këshilla, në lidhje me atë se si të luftoni depresionin, nëse ju apo dikush tjetër të cilin e njihni po kalon nëpër këtë periudhë:

1. T’ia parashtrojmë të gjitha shqetësimet dhe dhimbjet tona Zotit të Gjithësisë, i Cili e ka të lehtë që t’i largojë ato. Investoni në veten tuaj një ndjenjë të dorëzimit të sinqertë dhe të plotë para Zotit, duke besuar se Ai nuk do t’i ngarkojë ata me atë që nuk mund të bartin mbi supe. Pavarësisht sa do të zgjasë errësira, dielli do të lind në fund, gjithësesi (“Pas çdo vështirësie vie lehtësimi)”.

2. Kushtojini vëmendje mendimeve tuaja. Siç thonë ekspertët, depresioni është rezultat i të menduarit të tepruar, negativ, ku ne përqendrohemi vetëm në humbjet dhe dështimet tona. Nuk ka asnjë person në botë të cilit krahas sprovës, të mos i jenë dhënë më shumë të mira dhe begati. Merruni me punë humanitare. Bëni një pushim nga rutina juaj e përditshme dhe shoqërohuni me njerëz. Sidomos me ata që ndodhen në një situatë më të keqe se ju. Mendoni për ato të mira dhe begati që keni, në vend të atyre që nuk i keni apo i keni humbur. Bëjeni traditë që çdo natë para se të bini në gjumë, të numëroni disa mirësi të Zotit me të cilat ju ka begatuar, dhe përpiquni që të numëroni begati të reja secilën herë.

3. Kërkoni ndihmë profesionale nëse është e nevojshme, posaçërisht nëse nuk keni një sistem të mirë mbështetës brenda familjes ose problemi me të cilin ballafaqoheni është i asaj natyre që ju detyron juve t’u drejtoheni ekspertëve për këshilla. Me të vërtetë, të gjitha njohuritë e mjekësisë, psikologjisë dhe shkencave të tjera janë një shenjë e mirësisë dhe mëshirës së Zotit, i cili u mëson njerëzve atë që nuk dinë. Biseda me një ekspert (terapist) do t’ju ndihmojë të identifikoni modelet e mosfunksionimit të drejtë të të menduarit që ju kanë sjellë në këtë gjendje, t’i ndryshoni ato dhe t’i shikoni gjërat nga një kënd tjetër. Ju duhet të mësoni të mendoni më pozitivisht dhe më realisht./familjadheshëndeti

Burimi: psiholog.ba

Përktheu dhe përshtati: Jeton Zenuni