Kur ne e injorojmë rënkimin e shpirtit tonë

Pjesa ll

Nuk ka njëri që t’mos ketë përjetuar ndonjëherë në lëkurën e vet sjelljet arrogante, agresivitetin verbal e mbase dikush ndoshta edhe atë fizik nga njerëzit me të cilët ka të bëjë. Ushtruesit e këtyre sjelljeve pasi që të qetësohen e dijnë që reagimi i tyre ishte i gabuar dhe joadekuat dhe se thjesht duhej të ndaleshin për t’a shmangur atë reaksion…por nuk funksionoi. Nuk funksionoi ngase ata kontrolloheshin nga dikush tjetër.
Në këto situata “fëmija i tyre i brendshëm” u bë dominant dhe aktiv.

Të gjithëve poashtu na ka ndodhur ndonjëherë ta bëjmë ndonjë gjest fëmijëror, mirëpo ka të tillë, tek të cilët këto sjellje megjithatë dominojnë dhe ato u persistojnë atyre gjatë gjithë jetës. Tek ata vetëm trupi është rritur.
Shembull, ju të gjithë njihni persona të cilët zemërohen për arsye banale mu sikur kur një fëmije të vogël t’ia rrëmbesh lodrat nga dora apo t’ia largosh qokollatën nga goja.
Sa herë që diçka nuk përkon me frekuancat e të menduarit të tyre, emocionet e tyre bien në nivelin e një fëmije. Ata në rast frustrimesh kanë zero tolerancë, mu sikur fëmijët të cilëve nuk iu plotësohen dëshirat. Pra tek ata “fëmija i brendshëm” i tyre merr kontrollin dhe kontrollon të menduarit, sjelljen dhe komunikimin.
Ata lëndojnë me sjelljet dhe reagimet e tyre sidomos njerëzit e rëndësishëm, familjen apo miqtë e ngushtë. Me të huajt janë më të kujdesshëm. Në retrospektivë, ata e dijnë se çfarë do të kishte qenë e drejtë të thonë a bëjnë dhe shpesh ndjehen të turpëruar që nuk mundën t’i kontrollonin emocionet.

Por pse ndodh kjo?

Pse shpesh ata shëndrrohen në fëmijët e vegjël e të pafuqishëm për t’menduar logjikisht?

Sepse, si fëmijë secili ka përjetuar në një formë apo tjetër situata që e kanë lënduar emocionalisht. Në situatat e tilla atëbotë janë aktivizuar apo „ndezur“ mekanizmat mbrojtës të psikës sonë të cilat i kanë larguar këto ndjenja prej vetëdijes e i kanë vendosur në ndërdijen tonë të cilat mbesin aty të ruajtura përgjithmonë. Kur truri i fëmijës mbingarkohet shkakton frikë dhe fëmija do të reagojë me mjetet që ka në dispozicion – me ikje ose sulm.
Pra kështu reagon pjesa e dëmtuar e “fëmijës së brendshëm” edhe në moshën e rritur, pjesë e cila merr timonin dhe e mund të rriturin duke e dërguar në reagim të tepruar, zemërim, ulëritje ose shmangie (kur ata nuk do të thonë asgjë më, pra do të jenë të bllokuar).

Lëndimet në fëmijëri çofshin ato fizike apo emocionale krijojnë plagë të mëdha shpirtërore që mbesin prezente për tërë jetën. Rreth 95% e të gjitha ndjenjave që përjetojmë apo reagimeve që bëjmë si të rritur vijnë nga “fëmija jonë i brendshëm”. Natyrisht varet nga rrethanat e mëpastajme të jetës sonë se si do t’ia dalim ti mbajmë nën kontroll këto emocione.
Nëse në rrethin tonë social rrethohemi nga njerëz pozitivë, nëse kemi përkrahje emocionale nga familja dhe poashtu pak a shumë kemi një mirëqenie sociale do ta kemi më të lehtë konfrontimin me “traumat” e fëmijërisë.

Shembuj të traumave në fëmijëri;

  • Abuzimi seksual, incestet, aksidentet e ndryshme, divorcet e prindërve, rrahjet nga prindërit, gjyshërit, kushërinjtë, mësuesit, shokët, por edhe pickimet, tërheqja e flokëve, ndëshkimet me mosdhënjen e ushqimit, mbylljen në dhomë, kërcënimet e ndryshme, neglizhenca emocionale, mosmbështetja e duhur, mosinkurajimi, fyerja verbale, të quajturit me emra denigrues etj etj.

Ka edhe shembuj të tjerë të traumës në fëmijëri, por këta janë thjesht vetëm disa që ta kemi idenë se me çfarë “fëmijësh të brendshëmt” kemi të bëjmë në moshën e rritur.

Përderisa disa njerëz kanë pësuar lëndime të rënda emocionale, të tjerët mund të kenë pësuar lëndime të vogla, për të cilat madje as nuk janë të vetëdijshëm.
Por problemi është që edhe nëse ne nuk i kujtojmë më lëndimet tona ato në mënyrë të pavetëdijshme përcaktojnë jetën tonë.

Vlen të theksohet që për një fëmijë, përvojat që ne si të rritur i perceptojmë ndoshta si të padëmshme, për fëmijën mund të jenë shumë traumatike!
P.sh. nëna e lë fëmijën e vogël vetëm dhe shkon shpejt deri në dyqan, dy kate më poshtë.
Nga këndvështrimi i një të rrituri: “kjo nuk ka problem, ngase unë do të kthehem për pesë minuta”. Por fëmija i vogël nuk ka përceptim adekuat të kohës apo të analizimit të rrezikut. Ai do të ndjejë frikë dhe panikë. Nuk e di që nëna mund të kthehet disa minuta më vonë. Ndjen vetëm frikë, madje deri në vdekje dhe kjo frikë do të ruhet pērgjithmonë në “sirtarët” e trurit.
Nëse ky fëmijë shpesh lihet vetëm, në të ardhmen do të ndjehet emocionalisht i vetmuar apo i neglizhuar, përkatësisht jo i marrur seriozisht nga të tjerët, apo ndodh të ketë probleme me ataqe paniku.

Në zhvillimin e fëmijës në përgjithësi rol VENDIMTAR luajnë; dashuria, ushqimi dhe siguria.

  1. Foshnjat dhe fëmijët kanë nevojë mbi të gjitha për DASHURINË, sikundër që kemi nevojë të gjithë për të edhe në moshën e rritur. Dashuria, afërsia, ngrohtësia emocionale është gjëja më e rëndësishme që u duhet fëmijëve për zhvillim të shëndetshëm. Për fat të keq, shumë fëmijë nuk e shijojnë dashurinë në mënyrë të mjaftueshme. Ose kanë mësuar, “nëse jam i mirë, punëtor, i përsosur, nëse bëj diçka, atëherë e fitoj këtë dashuri”. Kështu nga kjo pikë, zhvillohen sjelljet e para jo të dobishme.
  2. USHQIMI: edhe furnizim i tepërt ose i mangēt i ushqimit mund të ndikojë në jetën e mëvonshme të fëmijës dhe të manifestohet me zakone të gabuara.
  3. SIGURIA: Mungesa e sigurisë, p.sh, kur prindërit janë të divorcuar, ose njëri prind thjesht është larguar, kjo bën që fëmija të ndjehet i pasigurtë dhe kjo shpesh ka një ndikim negativ në sjelljen e fëmijëve. Mungesa e sigurisë mund të çojë në zhvillimin e rritjes së kontrollit të tepruar, si psh. përsosmëria, xhelozia, zemërimi etj.

Manifestimet tipike në jetën e mëvonshme të bazuar kryesisht nga mungesa e kritereve tē lartëpërmendura;

  1. Roli i viktimës. Kjo gjëndje e pafuqisë pra është zhvilluar në fëmijëri. Sepse fëmija kur sillet në mënyrë të pafuqishme atëherë merr vëmendjen. “ Kur jam viktimë, tërheq vëmendjen”.
    Pra, siq e shihni, aq shumë janë varrosur në fëmijërinë tonë ato sjellje e përjetime. Pothuajse gjithçka që u krijua atëherë ndikon në jetën tonë të përditshme sot!
    Kështu shumica nuk janë të vetëdijshëm për këtë dhe shpesh ngecin dhe ndjehen viktima të kësaj bote edhe sot.
  2. Një manifestim tjetër ēshtë edhe perfeksionizmi. Ne mund ta vërejmë këtë në ditët e sotme më shumë se kurrë falë rrjeteve sociale; p.sh. mania e bukurisë dhe pasqyrimi kinse i një jetese të përsosur nëpër instagram a facebook. Ndjekjen e idealeve në fakt e kemi mësuar dhe e kemi të rrënjosur si fëmijë:
    “Nëse bëj gjithçka në mënyrë të përsosur, jam i/e mirë, mësoj shumë, kështu përmbush një ideal të prindërve, atëherë unë tërheq vëmendjen e prindërve”.
    Kështu edhe si të rritur do të përpiqemi të bëjmë gjithçka në mënyrë të përsosur, për të marrë atë që na ka munguar në fëmijërinë tonë ose e kemi fituar atë vetëm kur kemi bërë gjëra të mira.
    Pra, prindërit shpesh padashje bëjnë gabime me fëmijët e tyre duke mbjellur në ta një tendencë të dëmshme, “arritjen e perfeksionizmit” e cila fëmijëve do t’ua bëjë jetën shumë më të vështirë në të ardhmen.
    Ne kemi dëgjuar të gjithë, apo përjetuar komente të stilit; “nëse kalon shkëlqyeshëm në shkollë, do të ta blej celularin, I-Padin, biqikletën etj. Kjo është shumë e gabuar, ngase fëmijët duhet të ndjehen të dëshiruar dhe të ndjejnë që prindërit janë krenarë me ta edhe kur nuk sjellin nota të mira. Në rastin më të keq ofendimet ose ndëshkimi fizik padyshim lë pasoja dramatike në psikën e fëmijës.
  3. Arritja me çdo kusht e harmonisë, modeli tjetër i cili duket kështu: “Unë duhet të jem i/e dashur dhe i/e guximshme që askush të mos zemërohet me mua”.
    Ky model lind veçanërisht kur prindërit shpesh grinden dhe fëmija përpiqet të krijojë harmoni. Sepse dëshiron dashuri, ngrohtësi emocionale dhe siguri.
  4. Vështirësia për të thënë JO. Ju mund të shihni këtë sidomos në punë kur njerëzit nuk mund të thonë jo, duan të kënaqin të gjithë, nuk mund të vendosin ndonjë kufi dhe në fund të fundit ata shterrojnë vetveten vetëm për të kënaqur njerëzit e tjerë. Kjo mund të shkojë aq larg sa ata të punojnë deri sa të kalojnë në “Burnout”. Edhe kjo manifestohet ngase si fëmijë kērkesat e prindërve për fëmijët ishin shumë të larta dhe fëmija u mësua të ndjehet rehat dhe i kënaqur vetëm kur kënaqte prindërit. Kjo tendencë poashtu ia vështirëson fëmijës shumë jetën në të ardhmen.
  5. Frika e refuzimit
    Shumë njerëz ndërtojnë një mur rreth vetes në mënyrë që të shmangin lëndimet dhe vështirë se ose aspak mund t’i lënë njerëzit e tjerë të afrohen me ta emocionalisht.
    Si fëmijë ata kanë mësuar: “Nëse e le dikë të afrohet kaq shumë, kjo do të thotë dhimbje”.
    Përmes kësaj sjellje, natyrisht, ata kurrë nuk marrin atë që dëshirojnë në të vërtetë: kënaqësinë e nevojës së tyre për afërsi.
    Kështu zhvillohet edhe nevoja për pushtet ose kontroll. Kontrolli mbi gjërat ose shërben për të përmbushur nevojat ose si mbrojtje kundër dëmtimit. Kjo gjë mund p.sh të çojë madje në varësi, çoftë në vese klasike si alkoolizëm dhe pirje të duhanit apo edhe në konsumimin e drogave.

Këta shembuj mbase tingëllojnë të ekzagjeruar dhe në dukje të parë jorelevantë për t’u klasifikuar si trauma, por këtë e kanë vërtetuar hulumtime të panumërta nga neuroshkenca apo psikoanaliza. Kuptohet, çfarë për një popull mund të konsiderohet normale për një popull tjetër mund të konsiderohet shumë e dëmshme dhe patologjike.
P.sh. tek ne shembujt e lartëpërmendur nga shumica nuk do tē cilësoheshin si dicka e rrezikshme për të ardhmen e fëmijës, sikundër p.sh. edhe abuzimet fizike si; të pickuarit apo tërheqja e zylyfëve, ngase kjo denbabaden tek ne ka qenë një “metodë e disciplinës”.

Kështu në moshën e rritur, ne ushtrojmë ndoshta edhe vetë sjellje të tilla duke i konsideruar madje si diçka normale, pa e ditur se ku kanë lindur këto sjellje dhe pa qenë të vetëdijshëm se sa të dëmshme janë për fëmijët tanë.

Andaj për të shëruar dëmtimet e vjetra, ne duhet që në mënyrë të vetëdijshme të lidhemi me “fëmijën e brendshëm”, ta qetësojmë atë e ta shërojmë atë.
Mungesa e lidhjes së vetëdijshme me të, mund të thuhet se është një nga shkaqet kryesore të problemeve serioze me të cilat përballemi sot në shoqëri.
Duke e mohuar dhe injoruar zërin e fëmijës brenda nesh, ne vetëm sa e bëjmë më të rëndë “thesin” e atyre konflikteve intrapsiqike.

Ky “thes” i paqelur dhe i pazgjidhur çon në sëmundje mendore, sëmundje trupore dhe çrregullime të marrëdhënieve.

Vijon me:

“Metodat e shërimit të “fëmijës së brendshëm”

Valbona Hysenaj Miftari
Kryemjeke në departamentin e varësive në qendrën universitare psikiatrike në Brugg të Zvicrës