Ziliqarët, gjithsesi do të flasin

Nga Pranvera Nevzadi

Kur ne shfletojmë histori, kur kthehemi pas në kohë, zakonisht kthehemi me qëllimin që të nxjerrim ndonjë mësim nga e kaluara, e jo rrallë edhe për kurreshtje e argëtim. Nëse kthehemi mijëra vite më parë, në kohën e profetit Ejub, në një kohë kur njerëzit mund të ishin ndryshe, shumë më ndryshe, do të gjejmë diçka interesante dhe të përbashkët me njerëzit e kohës sonë, e nuk përjashtohet mundësia që të jetë e përbashkëta e të gjitha kohërave. Pra, ajo që ne mësojmë nga historia e këtij njeriu të madh, duhet të jetë përkujtimi më i mirë për të gjithë ata që shqetësohen për fjalët e të tjerëve. Ata që dinë për profetin Ejub, dinë se ai ishte një njeri me pozitë të lartë në shoqëri. Kishte shumë pasuri, kishte shumë fëmijë dhe gëzonte shëndet të mirë. Kishte miq që e nderonin dhe një grua të mrekullueshme. Thënë më shkurt, kishte rehatinë e dunjasë. Gjithë jeta i shkonte për mrekulli. Dhe patjetër, nuk vihet në dyshim që ishte një besimtar i mirë dhe falënderues i madh ndaj Krijuesit që ia kishte dhënë tërë këto të mira e begati.
Por, ziliqarët nuk mund të rrinë të qetë. Meqë nuk kishin mundësi t’i shkaktonin dëme tjera këtij njeriu të zgjedhur, filluan të flasin për të duke thënë: “patjetër që të jetë adhurues i mirë Ejubi, ai i ka gjitha të mirat. Nuk i mungon asgjë, as pasuiria, as fëmijët, as pozita, as autoriteti. Pse të mos jetë ai një besimtar i mirë?! Për të është shumë e lehtë me këtë jetë që e ka.” I dëgjoi këto Ejubi dhe nuk i erdhi mirë. I vënë në një siklet të tillë, Zoti vendosi t’ia marrë të gjitha, pasurinë që numëronte toka e bagëti të shumta, fëmijët të cilët i kishte të shëndetshëm e të bindur, shëndetin dhe fuqinë, që të gjitha. U sprovua me sëmundje e varfëri, me vdekjen e fëmijëve dhe me largimin e të gjithë miqve që e nderonin dhe e respektonin. I humbi tërë autoriteti që kishte, dhe mbeti filikat me gruan e tij e cila vendosi të mos e braktiste. E tërë kjo ndodhi për një qëllim: Zoti dëshiroi që atyre ziliqarëve t’ua japë një mësim për Ejubin.
Ai nuk ishte besimtar i mirë për shkak të rehatisë dhe begatisë që e gëzonte, por për shkak se ishte i sinqertë në besimin e tij. Për këtë, Ejubi e shtoi edhë më shumë adhurimin dhe u bë i njohur për durimin e tij të pashoq. Kështu, Zoti nxorri në pah sinqeritetin e tij. Por, çfarë thanë ziliqarët kur e panë këtë durim dhe qëndrim të paluhatur të Ejubit?
“Sikur ky njeri të ishte profet dhe i dashur te Zoti i tij, nuk do të sprovohej në këtë mënyrë sa edhe mishi i trupit t’i qelbej. Si mundet Zoti ta sprovojë një profet deri në këtë masë?” -thanë ata përsëri.
Pas shumë viteve vuajtjesh, Zoti ia ktheu përsëri Ejubit që të gjitha, e duke ia dyfishuar tashmë, fëmijët, pasurinë, shëndetin e famën e tij. Por, mesazhi i tërë kësaj historie të bukur që na ka treguar Zoti nuk është vetëm durimi i tij, por është edhe fakti se njerëzit gjithsesi do të flasin. Në çfarëdo situate në të cilën je, në çfardo gjendje shëndetësore që ndodhesh, ti do të mbetesh fajtori për ziliqarët. Prandaj mos hiq dorë. Mos hiq dorë nga çfarëdo misioni që të është caktuar apo i ke caktuar vetes për fjalët e askujt. Ziliqarët gjithsesi do të flasin. Mendimi i të tjerëve për ty nuk është një fakt, është vetëm një mendim. Askush nuk mund ta dijë as ta njohë më mirë rrugën nëpër të cilën ti kalon, as vështirësitë me të cilat përballesh. Ajo që ka rëndësi është sinqeriteti yt me të cilin u qasesh veprave.
Secili kërkon lumturinë dhe kënaqësinë por njerëzit dallojnë për mënyrën se si e arrijnë këtë. Dhe pikërisht ziliqarët janë ata që nuk e arrijnë kurrë këtë lumturi sepse janë të zënë duke të të gjykuar.
Jo gjithmonë në jetën tonë do të kemi njerëz të këndshëm rreth vetes. Por, ajo që thonë të tjerët për ty, ty nuk të definon. /Familjadheshendeti.com