VETMIA

Nga: Fatmir Baci

Ishte gjithçka që nuk e kam tani,
Të lumtur e përcolla,
Për tek lutjet e saj më të mira,
Për tek drithërima e lutjes time,
Ndërmjet shpresës dhe dëshirës,
Dhe tashmë shoqëri më bën vetmia,
Sepse vetmia më mbeti si shkëmbim,
Dhe ngado që të kthehem,
Gjendem i tërësisht rrethuar,
Nga përkujdesja e saj e heshtur.

Vetmia është klithma që gjithmonë nis,
Jo atje larg diku,
Por në parandjenjën më të thellë,
Në pritjen më të thuktë brenda vetes,
Dhe shpërthen furishëm,
Si një vullkan i padukshëm,
Buzë honit të dhembjes,
Me gishta të shtrëngur fort në grusht.

Klithmë me tehe të mprehta ankthi,
Shkarkuar lartësive në ajër,
Në luginën e rrethuar,
Me male të larta kufitare,
Fare pranë kanionit të thellë.

Atëherë klithma e vetmisë,
Që nis nga fundi i thembrave,
Shpërthen prej gjoksit,
Pushton hapsirat boshe,
Prek çdo majë mali dhe kthehet,
Me një zinxhir i gjatë jehonash,
Që drithërojnë shqetësimit,
Përplasen një pas një kumbueshëm,
Dëgjon drithërimat e tyre,
E nuk je më vetëm.

Dhe kur e gjitha këto mungojnë,
Kur vetmia është plotësisht e vetme,
Të gjitha klithmat bëhen heshtje,
Jehonat rrëzohen lehtë dhe pa zhurmë,
Si petalet e brishta nëpër shi,
Tehu i mprehtë i ankthit bëhet fjalë,
Apo ndoshta varg,
E ndonjëherë bëhet edhe fjali,
Por gjithmonë e në çdo vend,
Tejet e kripur me lotin e vetmisë. /Familjadheshendeti.com