Dr. Samir Krasniqi, specialist pediatër

Është çrregullim i shpeshtë i eliminimit të urinës tek fëmijët.
Enureza joorganike është urinimi i përsëritur në rroba gjatë ditës (E. diurna) apo gjatë natës (E. nocturna), në mënyrë të pavullnetshme dhe të paqëllimtë, te fëmija ku kontrollimi i fshikëzës duhej të ishte arritur.

KLASIFIKIMI – Enureza mund të jetë:
a) Parësore – kur fëmija asnjëherë nuk ka arrit për një kohë të caktuar të kontrolloj urinimin,
b) Dytësore – kur urinimi rifillon pas një periudhe të kontinencës prej më së paku një muaj sipas klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve (ICD-10) dhe 6 muaj sipas Diagnistic Statistical Manual Version IV (DSM-IV).

SHPESHTËSIA – Fëmijët e moshës 3-6 vjet lagen rreth 3 % gjatë ditës dhe 10-15 % gjatë natës.
Shpeshtësia ulet me rritjen e moshës, duke arritur në 1-3 % pas moshës 12 vjeçare.
Në një studim të bërë në Kosovë, te fëmijët e moshës 7-18 vjeçare, është gjetur një prevalencë e enurezës nokturne prej 2.6 % në popullatën e përgjithshme.
Deri në moshën 4 vjeçare është e përhapur njësoj tek të dy gjinitë, por me rritjen e moshës enureza paraqitet më shumë te meshkujt sesa te femrat.

ETIOLOGJIA – Shkaktarët e enurezës janë të shumtë.

Në Enurezën parësore, vonesa në maturimin e kontrollit të fshikëzës urinare shihet si faktor parësor.

Faktori gjenetik ku enureza ka incidencë më të lartë në familjet ku prindërit apo fëmijët kanë pasur probleme të urinimit të pakontrolluar, si dhe kanë identifikuar një lidhje të fragmenteve gjenetike në kromozomet 8q, 12q, 13q dhe 22q11.

Në raste të rralla, enureza lidhet me keqformime të rrugëve gjenito-urinare.

Në Enurezën dytësore, zakonisht faktorët psikologjikë janë shkaktarë të saj.

Te fëmijët e moshës 4-6 vjeçare mund të paraqitet rikthimi kalimtar i urinimit nën ndikimin e disa faktorëve, si: ndryshimi i vendbanimit, lindja e një fëmije të ri, hospitalizimi, abuzimi dhe trauma të ndryshme.

Enureza mund të jetë shenjë e: diabetit melit, diabetit insipid, epilepsisë, vonesës në zhvillimin mental apo çrregullimeve neurologjike.

DIAGNOZA – Enureza diagnostikohet te fëmijët e moshës mbi 5 vjeçare.
Kjo diagnozë nuk përdoret nëse ekziston ndonjë arsye organike, si p.sh. shkaqe neurologjike, keqformimet e traktit urinar apo infeksionet (edhe pse infeksioni mund të paraqitet në mënyrë dytësore, për shkak të urinimit të vazhdueshëm, sidomos te femrat). Duhet të bëhen ekzaminimet e nevojshme për përjashtimin e shkaktarëve organikë.

MJEKIMI – Antidepresivët triciklikë janë të suksesshëm në mjekimin e enurezës, por ka edhe relapse. Mënyra e menaxhimit varet nga natyra e enurezës (parësore apo dytësore), rrethanat në shtëpi (marrëdhëniet prind-fëmijë, qëndrimi prindëror ndaj tretmanit), mosha e fëmijës. Mjekimi mund të jetë me principe fiziologjike (psikoedukim), mjekimi me barna, mjekimi psikologjikë (psiko-terapeutik), si dhe përdorimi i teknikave të sjelljes.

PROGNOZA – Rreth 15 % e fëmijëve e ndalin enurezën brenda një viti. Numri më i madh i fëmijëve pësojnë remision spontan deri në moshën 12 vjeçare. Aty ku ekzistojnë faktorë komplikues, rezultati është më pak i sigurtë./Familjadheshendeti