TRANDAFILA DHE NGJYRA

Nga: Fatmir Baci

Ka diçka që e kam fshehur nga ti,
Diçka që shumë rrallë vjen nëpër ëndrra,
E që nuk honeps dot mosvëmëndjen,
Vezullitje drite për të qëndruar,
Dhe me vezullitjen ikën nxitimthi,
Ndërmjet nesh tashmë ka kaluar,
S’është me rëndësi a pleksen ëndrrat,
E nuk është se mund të ëndërrohet,
As mund të ruhet në kujtesë,
E as është ajo që ti mendon se është.

Jo, nuk është ai trëndafili kuq,
Që të dhurova atë natë,
Dhe ti e vendose pranë zemrës në gjoks,
Nuk janë as bisedat për trëndafilat e kuq,
Që fare pranë veshit pëshpëritëm,
Në stolin e parkut me gishtrinj thurur,
Është e vërtetë se të dy qeshëm,
Por ama nuk është…
Nuk është ajo që e kam fshehur nga ti,
Gjithë trëndafilat e kuq të pranverës,
Dhe gjithë e kuqja e botës të vendosej aty,
Sërish do qe shumë pak,
Se trëndafili i kuq është trëndafil i kuq,
Dhe ngjyra e kuqe është ngjyrë e kuqe,
Por dashuria ama nuk është e kuqe.

Ajo çfarë e kam fshehur nga ti,
Nuk është as ai trëndafil i verdhë,
Që të vendosa në flokët e dendur,
Aromën e gushës tënde tinëz e përthitha,
Shpatullat e brishta t’i preka paksa,
E si padashur t’i përkëdhela,
Është e vërtetë se të dy drithëruam,
Por ama nuk është…
Nuk është ajo që e kam fshehur nga ti,
Gjithë trëndafilat e verdhë të botës,
Gjithë e verdha e diellit të vendosej aty,
Sërish do qe shumë pak,
Se trëndafili verdhë është trëndafil i verdhë,
Dhe ngjyra e verdhë është ngjyrë e verdhë,
Por xhelozia ama nuk është e verdhë.

Ajo çfarë e kam fshehur nga ti,
Nuk është as ai trëndafili bardhë,
Që pranë buzës tënde e afrova,
Dhe aromën përgjysëm e ndamë,
E si padashur buzët me buzë i prekëm,
Dhe me prekje lodruam gjatë,
Është e vërtetë se të dy u tretëm,
Por ama nuk është…
Nuk është ajo që e kam fshehur nga ti,
Gjithë trëndafilat e bardhë të botës,
Gjithë bardhësia e dëborës të vendosej aty,
Sërish do qe shumë pak,
Se trëndafili bardhë është trëndafil i bardhë,
Dhe ngjyra e bardhë është ngjyrë e bardhë,
Por dhembja ama nuk është e bardhë.

Ajo çfarë e kam fshehur nga ti,
Askush nuk do mund ta dijë,
Përveç atyre me zemër të madhe,
Me mirëseardhjen e madhe në zemër,
S’është me rëndësi a pleksen ëndrrat,
E fshehura nuk honeps mosvëmëndjen,
Dhe shumë rrallë vjen nëpër ëndrra,
E nuk është se mund të ëndërrohet,
As mund të ruhet në kujtesë,
E as është ajo që ti mendon se është. /Familjadheshendeti.com

Shpërndaje