Të jesh farmacist në Kosovë

Nga: Mr.ph Laureta Berisha Kosumi – Farmaciste

Teksa kujtoja vitin 2006, atë vit kur u pranova në Fakultetin e Mjekësisë dega Farmaci, më ngjalli nostalgji të madhe fillimi i këtij rrugëtimi dhe entuziazmi i madh për të studiuar në një drejtim që aq shumë e doja dhe do jepja maksimumin tim për t’ju përkushtuar siq duhej dhe kërkohej.

Mirëpo, përkundër që rruga ishte e gjatë, e vështirë, e mundimshme, ashtu si e çdo studenti tjetër të Fakultetit të Mjekësisë, jemi të lumtur me profesionin tonë, duke dhënë kontributin në vendin tonë dhe në shërbim të popullit tonë.

Ndërsa sot na quajnë:

Shitës të barnave:
Është e vërtetë që ne jemi dora e fundit e dhënies së barit, dora e fundit e lëshimeve të paqëllimshme nga ana e mjekëve, dora e fundit e dhënies së kurajos dhe ndihmës, dora e fundit e dhënies së buzëqeshjes dhe urimit me “shërim të shpejtë”, përkundër që na quani “shitës” prapëseprapë jemi krenarë që nga duart tona vie edhe marrja në mënyrë të drejtë e terapisë, duke pasuar me mjekim dhe shërim të pacientëve. Jemi “shitës” ama “shitës” të terapisë për mjekimin e mirëfilltë, jemi ata që kemi dhënë mundim të madh për të qenë mirëfilli në shërbim ndaj juve, ngaqë përgjegjësia jonë është shumë e madhe.

Ne jemi ata që pa limit kohor jemi në gjendje t’ua shpjegojmë përdorimin e drejtë të barnave, zaten jemi shumë të lumtur të na kërkoni informata shtesë rreth barnave dhe aspak nuk e kemi me “termin” qëndrimin tek ne, por jemi këtu t’ju dëgjojmë me vëmendje dhe me përkushtim të plotë.

Jemi ata që çdo ditë na thuhet “mos ma ndërro barin se mjeku m’tha vetëm këtë me marrë” dhe përherë insistojmë të merrni në mënyrë të drejtë barin e jo prodhuesin, përkundër ngulitjes së bindjes së gabuar.

Ne nuk jemi fajtorë që vendi ynë nuk na ofroi më shumë mundësi për të ushtruar profesionin tonë në shumë drejtime, duke qenë që jemi dora e parë e prodhimit të barit dhe dora e fundit nga e cila mund të lëshohet gabimi.

Por, ne jemi shumë fajtorë nëse nuk ju këshillojmë si duhet, nëse ju japim antibiotikë pa kurrfaë kriteri, nëse ju japim barna qetësuese, barna për dobësim dhe shtim peshë në mënyrë jo të duhur, nëse ua japim një bar më të shtrenjtë kur ekzistojnë prodhime tjera më të lira, nëse nuk i raportojmë gabimet, nëse nuk bashkëpunojmë me mjekun në mënyrë të drejtë…

Andaj uroi që të jemi të ndershëm, të ndërgjegjshëm, profesional, real dhe mbi të gjitha njerëzorë.

Mos ta shohim profesionin vetëm si rrugë për të pasur të ardhura të bollshme, por profesioni ynë të jetë përmbushje jona në ndihmë të popullit tonë, nga dija jonë, rrugë e cila të ofron kënaqësi shpirtërore dhe nuk ka të paguar.

Urime të gjithë kolegëve të mi Ditën e Farmacistëve, shëndet, mbarësi në punë dhe në familjet tuaja. /Familjadheshendeti.com