STRESI KRONIK DHE NDIKIMI I TIJ NË SËMUNDJET E SHENDETIT FIZIK

Brikena Krasniqi Hoti – Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë

Jeta është plot me situata stresuese dhe kjo nuk është diçka e re që po e dëgjoni, apo jo? Secili prej nesh e dimë që stresi ka një ndikim të madh mbi gjendjen tonë emocionale, ndjenjën tonë të mirëqenies, sjelljen dhe shëndetin. Mëgjithatë, mund të mos e kemi menduar se sa në të vërtetë, mund të jetë i dëmshëm stresi kronik dhe si? Hulumtimet konfirmojnë se stresi mund të shfaqet në formën e një sërë sëmundjesh fizike, nga një stomak kronik i shqetësuar deri në dhimbje koke, ftohjet e shpeshta ose madje edhe ulje e dëshirës për marrëdhënie seksuale. Por kjo nuk është e gjitha.

Reagimet e organizmit tonë ndaj stresit akut, zakonisht janë të padëmshme dhe ndihmojnë organizmin dhe mendjen tonë që t’i përshtatemi ndryshimeve dhe kërkesave ndaj nesh. Megjithatë, nëse stresorët janë të vazhdueshëm dhe stresi është kronik, d.m.th i tejkalon aftësitë e individit për ballafaqim, atëherë kjo paraqet një barrë të rëndë për shëndetin tonë, jo vetëm shëndetin mendor por edhe shëndetin fizik në veçanti. Stresi kronik mund të shkaktojë disa reagime fiziologjike në organizëm, e cila e rrit vulnerabilitetin e organzimit ndaj sëmundjeve të ndryshme apo e keqëson gjendjen e sëmundjeve ekzistuese.

Pas perceptimit të një ngjarje akute stresuese, ndodh një kaskadë e tërë ndryshimesh në sistemin tonë nervor, atë kardiovaskular, endokrin dhe sistemin imunitar. Në rastin e stresit akut, aktivizimi i këtyre sistemeve na ndihmon që të përgatitemi për veprim dhe më pas kemi rikthimin e tyre në gjendjen e mëparshme. Në rastin e stresit kronik, kemi aktivizimin e vazhdueshëm dhe të tepruar të këtyre sistemeve, ku i gjithë organizmi qëndron në një gjendje konstante hipervigjilente, si dhe prodhimin e vazhdueshëm të hormonit kortizol në gjak (hormoni i stresit), gjë që përbën një ngarkesë të madhë për organizmin.

Aktivizimi kronik apo i vazhdueshëm i Sistemit Nervor Autonom, që ndodh rëndom në gjendje stresi, paraqet ngarkesë të tepruar për organizmin tonë dhe mund të rezultojë me hipertension, tahikardi, hiperglikemi dhe tension muskulor. Më kalimin e kohës, nëse stresi është i vazhdueshëm, vjen deri tek një gjendje e vazhdueshme hipervigjilente e organizmit tonë, që është rrjedhojë e ngacmimit të vazhdueshëm të boshtit HPA (Hipotalamik-Pituita-Adrenal) dhe Sistemit Nervor Simpatetik. Ky çrregullim i funksionimit të këtyre sistemeve mund të kontribuojë në shfaqjen e sëmundjeve të tilla si: sëmundjet kardiovaskulare, gatsrointestinale (siç janë ulçera apo IBS-Sindormi i zorreve te irritueshme), obeziteti (mbipesha), diabeti, sëmundjet autoimune (artriti reumatik), por stresi luan rol edhe ne dhimbjet kronike, te tilla si : migrena, dhimbja e shpines, fibromyaglia.

Në rastin më të lehtë mund të ndiheni vazhdimisht të irrituar, keni vështirësi në koncentrim, një ndjenjë ligështimi apo sikur do t’iu bie të fiktë, etj. Nëse sëmureni qoftë edhe nga një e ftohur apo grip, stresi kronik jua vështirëson dhe ngadalëson procesin e shërimit. Stresi kornik ndikon në rritjen e inflamacionit dhe nivelin e shënuesve të inflamatorëve në gjak, të tilla si proteina c-reaktive. Sa më e gjatë dhe sa më intensive që është periudha stresuese, aq më të mëdha janë mundësitë e ndikimit dhë dëmtimit në shëndetin tuaj.
Marrëdhënia midis stresorëve psiko-social ( siç është stresi) dhe sëmundjeve të ndryshme, ndikohet nga natyra, numri dhe kohëzgjatja e ndikimit të stresorëve, si dhe nga ndjeshmëria biologjike e individit (gjegjësisht gjenetika), resurset psiko-sociale dhe modelet apo strategjitë individuale të përballimit.

ÇKA KONSIDEROHET STRES KRONIK?

Për njërëz të ndryshëm, stresin e përbëjnë faktor të ndryshëm. Duke filluar nga ballafaqimet e përditshme si trafiku i ngarkuar në njërën anë dhe presioni kohor në anën tjetër, shumë kërkesa dhe takime njëkohësisht apo brenda një afati të shkurtë kohor, apo krizat e qëndrueshme, si papunësia ose kujdesi për një të afërm apo fëmijë të sëmurë, një humbje apo vdekje në familje, lëndimet fizike, dëmtimet e pronës, etj, të cilat mund të shkaktojnë që trupi të aktivizojë vazhdimisht reagimin e lartëpërmendur ndaj stresit. Stresi mund të jetë kronik edhe kur kemi pritje të larta ndaj vetës, të cilat nuk janë në përputhje më aftësitë, mundësitë apo rrethanat për t’i arritur ato.

ÇFARË MUND TË BËNI?

Ta reduktoni stresin dhe ta ruani shëndetin. Epo e lehtë ta thuash dhe e vështirë ta bësh. Mëgjithatë, ia vlen ta provoni.

Ja disa këshilla më poshtë që mund t’ju ndihmojnë:
1.Identifikoni se çfarë po ju shkakton stres. Monitoroni gjendjen tuaj emocionaledhe mendore gjatë gjithë ditës. Kur ndiheni të stresuar, shënoni shkaktarin, çfarë mendime po ju sillen në kokë dhe si po ndiheni në ato momente. Pasi ta dini se çfarë ju shqetëson, zhvilloni një plan për ta ndryshuar gjendjen. Kjo mund të nënkuptojë vendosjen e pritjeve më të arsyeshme për veten dhe të tjerët ose për të kërkuar ndihmë në përgjegjësitë shtëpiake, detyra të punës ose detyra të tjera. Listoni të gjitha angazhimet tuaja dhe pastaj eliminoni çdo detyrë që nuk është e domsodoshme apo që mund te pres për më vonë.
2. Ndërtoni marrëdhënie të mira me të tjerët. Marrëdhëniet mund të jenë një burim stresi. Por gjithashtu, ato mund të shërbejnë edhe si mbrojtës apo “zbutës” të efektëve të stresit. Shkoni tek anëtarët e familjes ose miqtë e afërt dhe ua tregoni atyre se jeni duke kaluar kohë të vështira. Ata mund t’ju ofrojnë ndihmë dhe përkrahje apo ide të dobishme për një perspektivë të re.
3. Largohuni kur jeni të zemëruar. Para se të reagoni merrni frymë thellë duke numëruar deri në 10. Ecja ose aktivitete të tjera fizike mund t’ju ndihmojnë gjithashtu, të cilat e rrisin prodhimin e endorfinës, hormonin natyral në trupin tuaj që përmirëson disponimin.
4. Pushoni mjaftueshëm. Për të siguruar që ju merrni shtatë ose tetë orë gjumë, mbyllni perdet, hiqni dorë nga shikimi i TV, laptopit apo telefonit para gjumi dhe shkoni në shtrat në të njëjtën kohë çdo natë. Hulumtimet tregojnë se aktivitetet si yoga dhe ushtrimet e relaksimit jo vetëm që ndihmojnë në zvogëlimin e stresit, por edhe në rritjen e funksionimit të imunitetit.
5. Kërkoni ndihmë profesionale. Nëse vazhdoni të ndiheni të mbingarkuar plotësisht, konsultohuni me një psikolog/psikoterapeut, i cili mund t’ju ndihmojë të mësoni se si të menaxhoni stresin në mënyrë efektive. Ai ose ajo mund t’ju ndihmojë të identifikoni situata ose sjellje që kontribuojnë në stresin tuaj kronik dhe pastaj të zhvilloni një plan veprimi për ndryshimin e tyre. /Familjadheshendeti.com