Shkruan: Ferdi Kamberi, sociolog

Shpërfaqja e virusit corona i njohur ndryshe si COVID 19 ka bërë që bota të jetojë në një ankth social, një ankth të cilin as që e ka imagjinuar ndonjëherë. Të dhënat në nivel botëror flasin se deri më tani janë të prekur rreth 1,772,710 njerëz me këtë virus me mbi 108,418 të vdekur dhe 401,890 të shëruar. Në rastin e Kosovës shohim se sipas raportimeve nga mediet deri më tani janë të infektuar rreth 283 persona, 7 të vdekur dhe 52 janë shëruar. Kjo pandemi globale ka gjetur shoqërinë të pa përgatitur pothuajse totalisht, madje në disa raste nuk është marrë as seriozisht, gjë që ka prodhuar edhe pasojat me të cilat tani më i gjithë globi po i vuan. Me zhvillimet e fundit, duhet theksuar se shumë realitete të fshehura të jetës sonë të përditshme janë bërë të dukshme. Normalisht që kjo situatë e pa imagjinuar do të sjellë telashe dhe derte të madha njeriut (post)modern, duke krijuar një njeri tjetër i cili do të jetë më individual, më egoist, më racional, por edhe i cili do të kujdeset më shumë për vetën e tij se sa dikur për shkak se ka të bëjë me ekzistencën e tij si qenie. Kjo pandemi po ashtu ka krijuar ndjenja të zhgënjimit dhe pasiguri sociale sidomos tek gjeneratat e reja dhe se ka paralajmëruar se shoqëria është e rrezikuar nga përballja me rreziqet e reja, të cilat dalëngadalë do të bëhen pjesë e jetës sonë të përditshme. Sociologu gjerman Ulrich Beck e kishte përkufizuar atë si një mënyrë sistematike të trajtimit të rreziqeve dhe pasigurive sociale të shkaktuara dhe prezantuara nga vetë modernizimi. Prandaj, përhapja e koronavirusit shfaq njëherit problemet latente të saj, edhe pse realisht gratë shtatzëna, familjet me fëmijë, të moshuarit më të vjetër, individët me aftësi të kufizuara dhe me të ardhura të ulëta janë më të rrezikuara më shumë sesa shtresat tjera në raste të tilla. Për këtë qëllim thuhet se kjo madje është një ndër ato arsyet përse në shoqëritë bashkëkohore kur ka rreziqe të tilla duhet të bëhen investime të mëdha, në mënyrë që të analizohen perceptimet dhe mënyrat e komunikimit të rrezikut, kryesisht me qëllim të menaxhimit të situatave konfliktuoze dhe minimizimin e paranojave së shoqërisë në çështjen e shëndetit publik dhe të sigurisë personale.

Disa nga rregullat që duhet ndjekur gjatë vetë izolimit

Zakonisht kur flasim për izolimin social me të nënkuptohet mungesa e bashkëveprimeve shoqërore, kontakteve dhe marrëdhënieve me familjen dhe miqtë, me fqinjët në një nivel individual dhe me shoqërinë në përgjithësi në një nivel më të gjerë. Fjalori i psikoanalizës i profesorit Pajazit Nushi izolimin e emërton si “koncept i ndarjes ose veçimit të kujtimeve, të mendimeve, të qëndrimeve të caktuara nga ndjenjat dhe nga shtytësit e brendshëm, si dhe nga energjia e tyre, që në kushtet dhe rrethanat normale, ngushtësisht janë të lidhur ndërmjet tyre” (P. Nushi – Fjalor Shpjegues i Psikoanalizës, fq. 138). Në anën tjetër, frika mund të shpjegohet edhe si një reagim emocional përballë perceptimit të një rreziku i cili mund të jetë i vërtet ose edhe i imagjinuar. Të kesh frikë është shumë normale për shkak se ndërlidhet me njeriun dhe botën njerëzore, por të menaxhosh atë është një shkathtësi e cila ka peshë tek individi besa edhe tek familja dhe komuniteti. Prandaj, gjatë kësaj kohe duhet ndjekur një hartë kognitive e cila ka rregulla të shkruara dhe jo të shkruara, por gjithsesi të domosdoshme, ndër to:

  • Së pari, të respektojmë udhëzimet e nevojshme të institucioneve të vendit në këtë rast të qeverisë, institutit të shëndetit publik, udhëzimet nga niveli lokal, etj, për shkak se këto udhëzime/rekomandime/sugjerime janë për të mirën tonë individuale dhe atë kolektive;
  • Së dyti, është mese e nevojshme që në këtë periudhë të modelojmë mënyrën e të jetuarit, sepse gjumin e bëjmë me ndryshe, kemi stres të lartë, pasiguria është e madhe, kemi edhe probleme shëndetësore, të gjitha këto duhet të na dërgojnë drejtë një modelimi të ri të të jetuarit dhe organizim të ri social;
  • Së treti, duhet të shmangim mos marrëveshjet, sepse ato dërgojnë në konflikte e konflikti si pasojë sjellë dhunë. Si rezultat i vetë izolimit, rastet e dhunës në shoqërinë kosovare janë rritur dukshëm, ku më të atakuar janë gratë dhe fëmijët dhe për këtë qëllim është mese e nevojshme që të kemi një mirëkuptim ndaj njëri tjetrit, komunikim dhe shmangie të rasteve të tilla, si dhe konsultim me profesionistët (sociolog, psikolog ose punëtor social);
  • Së katërti, të shmangen lajmet e rreme “fake news”, për shkak se ato mund të krijojnë panik dhe pasiguri sociale. Sot, kemi nevojë për lajme, informata të cilat janë të verifikueshme dhe besueshme dhe jo për të tjera të cilat mund të klasifikohen si thashetheme të cilat mund të dëmtojnë jo vetëm inteligjencën, por edhe shëndetin tonë;
  • Së pesti, duhet fokus më i madh në zhvillimin e komunikimit me të afërm, miq, koleg, e të tjerë dhe kjo përmes botës virtuale e cila pothuajse sot është prezentë në çdo shtëpi në Kosovë. Ky komunikim forcon raportin tonë social me të tjerët, ndikon që ne të kemi një kapital social me njeri – tjetrin, ndikon që të mos ndihemi të vetmuar dhe mbi të gjitha ndikon që ne të shmangim vëmendjen ndaj nekrologjisë, lajmeve negative, lajmeve të cilat prishin sensin e humorit dhe gjendjen tonë psikologjike;
  • Së gjashti, ushqimi i trurit shpeshherë është parë leximi, andaj gjatë kësaj periudhe duhet fokusuar në leximin e librave të cilat forcojnë vetëbesimin, krijojnë një stabilitet psikologjik dhe social në raporton me vetën tonë dhe me të tjerët.
  • Së shtati, vëmendje më e madhe ndaj fëmijëve dhe të moshuarve, kjo për shkak të natyrës dhe gjendjes emocionale që kanë ajo kategori. Në këtë drejtim, shpjegimet duhet të jenë të tilla që fëmijët të kenë mënyra pozitive për të shprehur ndjenjat/shqetësimet e tyre, ata/ato duhet të jenë afër prindërve dhe prindërit nuk duhen të shfaqin ndjenja shqetësimi ose paniku para tyre për shkak se mund të reflekton edhe tek fëmijët. Fëmijëve duhet t’ju shpjegohet se ky virus nuk dallon nga gripi i zakonshëm, por kuptohet që ata/ato mos të ngarkohen me informacione të tepërta. Të shfrytëzohet rasti që të kalohet më shumë me fëmijë, në mënyrë që të zhvendoset vëmendja e tyre në lojëra, edukim apo argëtim në shtëpi/banesë. Ndërsa, për të moshuarit për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, gjërat duhet të komunikohen lehtë dhe të ofrohet mbështetje sociale dhe psikologjike, në mënyrë që edhe ajo kategori mos të ndjen vetën të izoluar. Është e rëndësishme që kontaktet sociale të mbahen me familjarë përmes telefonit apo rrjeteve sociale, në mënyrë që të mos të ndjehet ndjenja e vetmisë ose izolimit social. Pra, shoqëria ka një rol mjaftë domethënës në këtë kohë, përmes qëndrimit në shtëpi përveç fuqizimit të lidhjeve familjare, shoqëria ndikon që të zhvendoset vëmendja e pandemisë në tema apo aktivitete të tjera;
  • Së teti, përdorimi i internetit të jetë më racional, që do të thotë se nuk është e nevojshme që të përdorim tërë ditën internetin për tu informuar apo argëtuar, por kjo mjafton nga 2/3 herë në ditë, në mënyrë që mos të ngarkojmë vetën psiqikisht dhe të shmangemi lajmeve të rreme;
  • Së nënti, çështja e meditimit është çështje e cila ndikon dukshëm në perceptimin tonë ndaj gjendjes së krijuar. Kjo çështje e cila mund të manifestohet përmes ritualeve religjioze, në këtë kohë ka ndikim goxha të madh në sjelljen pro sociale, lidhjen në raporton me fuqinë Absolute “Zotin”, si dhe në raportet brenda vet familjes. Studimet e fundit të bëra nga Gallup theksojnë se: “Kur bëhet fjalë për përballjen e trazirave bashkëkohore – shoqërore, komunitetet e besimtareve kanë luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në punën drejt zgjidhjeve. Pew Research kishte realizuar një hulumtim lidhur me sjelljen e qytetarëve amerikanë gjatë lutjes në këtë situatë dhe gjatë hulumtimit të tyre arritën në përfundim se mbi gjysma e amerikanëve (55%), thonë se janë lutur për t’i dhënë fund përhapjes së situatës së koronavirusit. Prandaj, sociologët e konsiderojnë fenë si një institucion kryesor shoqëror që mund të shërbejë për një funksion të rëndësishëm integrues brenda dhe për shoqërinë, duke i jap asaj një forcë kryesore stabilizuese” (shih: F. Newport, Religion and the COVID-19 Virus in the U.S).

Jemi të vetëdijshëm se përhapja e COVID 19 ka gjetur të pa përgatitur njeriun modern dhe padyshim se ka edhe pasoja të cilat reflektojnë në kontekstin psikik, social, ekonomik, politik, por edhe global dhe se kjo përhapje e tillë konsiderohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme sociale në jetën e njeriut në shekullin XXI. Në këtë drejtim, secili nga ne duhet të ketë rolin e tij/saj në zbatimin e rregullave si norma sociale për vetën, familjen dhe komunitetin. Ne kemi nevojë për një qasje dhe bashkëpunim me sociologë, psikologë dhe ekspertë të shëndetit publik, për të pasur një ndryshim si në sjelljen tonë ndaj mjedisit ashtu edhe në veprimet tona sociale në përballjen e një krize globale, sepse siç thotë Derrida “Duke ecur dhe duke menduar për ndryshimet që mund të ndodhin”, mund t’ia dalim me sukses kësaj pandemie. Prandaj, sot duhet të përmirësojmë më tepër rezistencën ndaj kësaj pandemie jo vetëm mbi bazën biologjike (shëndetësore), por edhe në atë mendore, shoqërore dhe shpirtërore. Orientimi ynë duhet të jetë drejt një të ardhme më të mirë, megjithëse kjo e ardhme do të jetë më ndryshe nga e kaluara, le ti qëndrojmë besnik motës “#Rrini në shtëpi, kujdes të shtuar po dhe panik jo”./Familjadheshendeti

Shpërndaje
  • 321
  •  
  •  
    321
    Shares