Mos u ngatërro me njerëzit e heshtur

Nga Pranvera Nevzadi

Mos u ngatërro me njerëzit e heshtur! Sado që ke fjalë për të thënë, sado që inati po të vret, më mirë mos u ngatërro me të heshturin!
Zemërimi yt do të endet si një zarf i mbyllur që nuk përfillet nga askush e nuk gjen adresë askund.
Kur ngatërrohesh me të heshturin, do të dëshiroje të ishe i pyetur për një veprim, e nuk do të pyetesh kurrë. I heshturi ose do ta kuptojë vet, ose nuk do t’i interesojë.
Do të dëshiroje ta dëgjoje një fjalë, e i heshturi nuk do të ta thotë. Do ta mbajë për vete deri në pafundësi.
I heshturi gjithmonë do të jetë i fituar, sepse heshtja e tij nuk mund të përgënjeshtrohet.
Ata që heshtin, notojnë mbi detin e qetësisë pa iu frikësuar stuhive të kohës. Nuk do të mund të argumentosh me ata, mos e provo, sepse buzqeshja e tyre do t’i thyejë fjalët tua si rrezet e diellit që i zpraps xhami, e ato do të kthehen pas tek ti për të t’goditur mu në pjesën më të ndijshme të zemrës. Të heshturit nuk pendohen për fjalët e tyre sepse nuk i flasin lehtë, as nuk pendohen për heshtjen e tyre se është fryma që e thithin. Mburoja e të heshturve do të jetë injorimi i tyre pas çdo sulmi. Ata harrojnë shumë. Fjalët tua, veprat tua, të bëmat tua i harrojnë e i fundosin thellë në heshtjen e tyre. Do të sulmosh e do të çmendesh duke pritur një kundërsulm, por ata janë shumë të zënë me veten.
Mos u ngatërro me të heshturit!

Shigjetat e tyre plot qetësi do ta fikin zjarrin e ashpër të fjalëve tua akoma pa arritur në veshin e tyre. Ti do të mundohesh t’i thumbosh me fjalët tua si bleta lëkurën, por i heshturi me heshtjen e tij, do të ta thyejë zemrën. Ti kurrë nuk do të arrish t’i bësh të ndihen të vetmuar me largimin tënd, mos e provo, sepse ata vazhdimisht e takojnë vetveten dhe kënaqen me të. E kur ti hesht përballë të heshturve, heshtja jote ty të vret, sepse ajo lind nga zilia, inati e paaftësia e sulmeve tua. Heshtja jote është një dështim, e heshtja e të tyre është një thesar.
Por,
të heshturit nuk i lëndojnë kurrë ata që i duan. Dhe kur të dashurit e tyre i lëndojnë, ata fashojnë çdo dhimbje me heshtjen e tyre që fal mëshirë e dashuri. Ata janë bashkëbisedues të mrekullueshëm. Do të të lënë hapsirë të mjaftueshme të shprehesh, dhe do ta shohësh se mirëkuptimi i tyre buron po nga heshtja e tyre. Fjalët e të heshturve janë si xhevahirë në rërën e detit. Gjithmonë do të dëshirosh t’i dëgjosh! Nuk ka mik më të mirë se një i heshtur për hallexhiun. Ai do ta dijë momentin e duhur se kur duhet ndërpritur heshtja dhe të ta falë një përqafim. Gjithmonë do ta dijë se kur duhet ndërpritur heshtja dhe të t’i thotë fjalët më të zgjedhura nga zemra e tij.
Me anë të heshtjes ata e kanë gjetur parajsën e Tokës, dhe rehatinë e kokës. Të sfidoj që të heshtësh dhe ta shndërrosh jetën tënde në një rehati të përhershme! /Familjadheshendeti.com

Shpërndaje