Si qenie njerëzore, ne duhet të kemi një qëllim, të kuptojmë se çfarë është ajo që na ndihmon të ngrihemi nga shtrati në mëngjes. Kur jemi më të rinj dhe të moshës së mesme, kjo shtytje mund të vijë nga puna ose ndërveprimi me fëmijët tanë që janë akoma në shtëpi. Ndërsa plakemi, ne dalim në pension dhe fëmijët tanë lëvizin përpara dhe largohen nga foleja. Shpesh, ne mbesim në shtëpi – ose vetëm ose me bashkëshortët tanë.

Shumë individë të moshuar vazhdojnë të ndjekin interesat dhe qëllimet e tyre brenda ambienteve sociale dhe komunitare – siç janë objektet fetare, qendrat për të moshuar, qendra tjera të komunitetit, dhe hapësira të tjera ku mund të jenë social, aktiv dhe ku mund ta kalojnë kohën e tyre.

Distanca sociale ka ndaluar të gjitha këto

Ne e dimë se bashkëveprimi shoqëror është një faktor kyç në gjendjen shpirtërore dhe atë mendore. Vetmia – ose ndjenja e të qenit i ndarë dhe jo i angazhuar me të tjerët – mund të çojë në depresion të rritur. Ne gjithashtu e dimë që ekzistojnë faktorë shtesë në mbajtjen e një stili jetese të shëndetshëm për të moshuarit, siç janë ushtrimet fizike dhe ushqimi i rregullt, të cilat shpesh hasen brenda ambienteve të komunitetit.

Në pyetjen nëse duhet të shqetësohemi për të moshuarit, unë nuk do të thosha të shqetësohemi, por do të kërkoja që të jemi më të vëmendshëm dhe më të vetëdijshëm. Kur jeni në dijeni, mund të identifikoni fushat ku mund të ndihmoni.

Distancimi social ka prekur më tepër të moshuarit

Distancimi social na ka goditur të gjithë ne, por veçanërisht të moshuarit tanë:

Izolimi i shtuar – nëse tashmë jetoni vetëm, mungesa e qasjes në familjen tuaj të zgjeruar, aktivitetet familjare, komunitetin tuaj fetar, është veçanërisht e vështirë.

Humbja e rutinës – kur ju humbni sensin tuaj të strukturës, ‘uji fillon të rrjedhë nëpër të çarat’. Keni përshtypjen sikur njëra ditë po shkrihet në ditën tjetër. Orari juaj i gjumit mund të çrregullohet, zakonet tuaja të ngrënies ndryshojnë, duke ndikuar kështu negativisht në kujdesin për veten tuaj. Për ata të moshuar, të cilët po menaxhojnë edhe me problemet me harresën, kjo mungesë e strukturës mund të bëhet edhe më çorientuese.

Përdorimi i shtuar i teknologjisë – shumë të moshuar mund të mos kenë njohuri me përdorimin e kompjuterave ose telefonave për të biseduar me video me më të dashurit. Ata mund të mos ndihen komod me këto paisje, duke çuar në shmangie të përdorimit të tyre.

Të qenit kujdestar – roli i kujdestarit gjithmonë ka sfidat e tij, aq më tepër nëse jeni i moshuar. Në kushte normale, ju keni mbështetje nga familja ose miqtë e tjerë që mund t’ju ndihmojnë, ose një person/profesionist që përkujdeset për ju në shtëpinë tuaj. Me distancimin shoqëror, kjo mbështetje vie duke u hequr, duke bërë që shumë të moshuar të ndjehen të mbingarkuar dhe të bllokuar në shtëpitë e tyre.

Distanca sociale mund të krijojë një ekuacion negativ

Distanca fizike e kombinuar me vështirësitë në përdorimin e teknologjisë moderne plus frika, është e barabartë me një rritje të izolimit, depresionit dhe vetmisë.

Çfarë mund të bëni për të ndihmuar?

Mos prisni që tjerët të kërkojnë prej jush. Bëni një telefonatë – dhe bëjeni këtë rregullisht. Sigurohuni që ata janë mirë. Bëjuani me dije që ju po shkoni në dyqan ushqimor dhe dëshironi të merrni ca gjëra ushqimore dhe furnizime për ta. Çfarë do të donin? Pysni ata nëse kanë nevojë për maska. Shihni nëse kanë nevojë të dalin për shëti herët në mëngjes kur s’ka shumë njerëz në qytet. Pyesni nëse kanë nevojë për ndonjë ndihmë, ilaçe, … çfarëdo. Mos prisni të kërkojnë nga ju.

Ndihmoni ata me paisjet teknologjike të tyre. A kanë ata kompjuter por nuk dinë ta shfrytëzojnë? Mësoni ata se si të përdorin rrjetet sociale dhe video-lidhjet për të komunikuar me më të dashurit e tyre. Për më tepër, personalitetet fetare dhe komunitetet sociale tani po postojnë shërbimet e tyre në internet, në mënyrë që anëtarët e tyre të mund të jenë pjesë e shërbimit. Ndihmoni fqinjin tuaj që të jetë në gjendje të ketë qasje në to.

Sigurohuni që ata po ju përmbahen termineve të rregullta shëndetësore. Këto termine/vizita përmes telefonit ose videove mund të jenë një mënyrë shumë e panjohur për ta, dhe ata mund të duan të presin derisa të shohin doktorin e tyre, ballë për ballë. Por, në situatën në të cilën ndodhemi, kjo mund të mos jetë zgjidhja më e mirë për shëndetin e tyre.

Struktura. Bëni diçka për të siguruar një strukturë, psh bëni thirrjet telefonike në një kohë të caktuar për çdo ditë, ose bëni ndonjë veprim në një ditë të caktuar të javës.

Bëni një hap të vogël për të ndihmuar – të menduarit rreth pandemisë di të jetë dërrmuese dhe marramendëse. Distanca sociale është e vështirë. Por ne mund të ndërmarrim hapa të vegjël për të ndihmuar njëri-tjetrin. Nëse po e lexoni këtë dhe keni një anëtar të moshuar të familjes, fqinj ose mik, thuaju atyre: ju lutem më tregoni se si mund t’ju ndihmoj.

Këshilla ime për ju është e njëjta këshillë që mund të ndani me të moshuarit tuaj: qëndroni të lidhur me njerëzit dhe aktivitetet që ushqejnë shpirtin tuaj.

Autore: Marcia Liss, PhD, psikologe e specializuar në psikologjinë rehabilituese, punon me individë dhe çifte që janë duke u përballur me sëmundje dhe paaftësi, si dhe tranzicionet në fazat e jetës, plakjen, depresionin dhe ankthin e tyre.

Përktheu dhe përshtati: Jeton Zenuni

#Familjadheshëndeti

Shpërndaje
  • 173
  •  
  •  
    173
    Shares