Mall për fotografinë e nënës

 

Nga Rizah Reshani

(Më la njëvjeçar,pa vëlla,pa motër, e s’ arrita ta njoh as përmes fotografisë).
Thonë se tërë ditën, korre në arë
Pastaj në mëngjes më linde
Pa mami, pa mjek, pa maternitet
Të premtën e tretë të korrikut të nxehtë.

E ninananat mê të mira m’i këndove
Sikur më i miri poet.
Bubullima dëgjohet larg,sikur mê the.
Po shiun, biro,e sjellin retë.

E me ujëvara fjalësh më bekove
Po unë bebe, s’ merrja vesh.
Në djepin e drunjtë herë qaja,herë buzëqeshja
Si valët e jetës mes nesh.

E ike pastaj siç ikë drita në muzg.
Kaltërsinë qiellore ma nxive me re.
Ike në stinën e pranverës se jetës
Ah, Nënë, ike,nuse e re!

Një vëlla të ma kishe lënë
Bukën kallamoçe ta ndanin përgjysmë
Një motër për morte e ditë gëzimi.
Ta merrja me kalë si Doruntinën,Konstandini.

Një fotografi të ma kishe lënê kujtim
Ta puthja, siç puthë shiu gurët në rrugë
Në gji ta mbaja,kornizë në mur,si dritë.
Si ujë kroi, të më freskonte mushkëritë.

/FamiljadheShendeti.com