Libri, dashuri e pazëvendësueshme…

Nga: Laureta Berisha Kosumi

Tek të shoh vjedhurazi në këndin tim të leximit në shtëpi, sikur më thua se sot më premtove që do të më shfletoje e do të ishe në shoqërinë time, por të dolën njëmijë gjëra tjera dhe kur erdhe te unë, fuqia veqse të kishte mbaruar, përkundër dëshirës dhe dashurisë së madhe ndaj meje…

Teksa mundohem të gjej minuta të lira për t’u ulur në shoqërinë e mikut më të mirë, librit, atij që të pasuron mendjen dhe zemrën ta mbushë me optimizëm, të qetëson trurin dhe të bën të ndjehesh shumë rehat vetëm në shoqërinë e tij..,më kujtohen sfidat që kisha në të kaluarën për të pasur një libër të mirë në duar, por… më mungon jashtë mase gëzimi kur e kisha në duar librin e shumëdëshiruar, ngaqë tani kam kaq shumë libra dhe kaq pak kohë për të lexuar…

Libri, mik i cili sado ta lësh anash me dashurinë dhe kujdesin që mund t’i ofrosh, prapë se prapë të pret duarhapur dhe i mallëngjyer për ty…

Libri, sado që mund të mos ketë lexueshmërinë e merituar, e sidomos në kohët e sotme kur fatkeqësisht tentohet të zëvendësohet me paisje teknologjike, vlera dhe rëndësia e tij e madhe asnjëherë nuk mund të zbehet, por përkundrazi, në mes të “pluhurit” të kohës së teknologjisë, shkëlqen si diamant. Mund të thuhet se tashmë teknologjia ka sjellur lehtësim për lexim, mirëpo kjo nuk e ulë kurrë vlerën e librit.

Libri, ai me dashurinë e të cilit u rritëm dhe të cilin duam t’ ua bartim fëmijëve tanë, por a jemi sa duhet shembull i mirë në sytë e tyre sa i përket leximit?!

Me atë të leximit të librit do të kemi mendje të ndritura, shoqëri produktive dhe jo të varur nga dukuri negative dhe humbje kohe në gjëra të padobishme, pra investim i duhur në tërë shoqërinë tonë është mbjellja e dëshirës për të lexuar.

Investim që nuk ka afat skadence, është libri. Edhe nëse leximi i tij është si mbushja e “shoshës” me ujë, edhe nëse nuk arritëm ta mbushim ujin, në fund do të kemi një “shoshë” të pastër me anë të pasurimit të fjalorit tonë, përmirësimit të gjuhës dhe drejtëshkrimit tonë…

Andaj, nëse duam të inkurajojmë fëmijët tanë për të lexuar, të jemi shembull praktik i tyre, të ndajmë një kohë gjatë ditës për lexim së bashku dhe në këtë formë do ju mbillet dëshira dhe dashuria ndaj librit, ta bëjmë rutinë të përditshme leximin e tii, çoftë edhe për pak minuta…

Në hapsirat e jashtme të ketë vende për lexim dhe të vendosen libra dhe thënje të bukura rreth leximit, të ketë bashkëlexues të cilët do të komentojnë me njëri tjetrin librat e lexuar, duke ndarë eksperiencat dhe përfitimet e marra..

Normalisht të ketë më shumë biblioteka të pasura me shumë libra të fushave të ndryshme, të cilat kohë pas kohe të bëjnë edhe kampanja të bukura për të nxitur leximin e librit…

Pasuro mendjen me lexim, pasiqë është investimi më i mirë, më i lehtë dhe më me vlerë që mund të bartësh kudo me vete.

Me dashuri:
Laureta
/Familjadheshendeti.com

Shpërndaje
  • 424
  •  
  •  
    424
    Shares