“Gratë, njëherë e përgjithmonë duhet me heqë dorë prej arit, dallamave, dimijave, e këtyre broçkullave tjera të zbukurimit”

Nga Zana Avdiu

“Gratë, njëherë e përgjithmonë duhet me heqë dorë prej arit, dallamave, dimijave, e këtyre broçkullave tjera te zbukurimit.

Secila grua duhet të dalë prej moçalit në të cilin gjendet. Ka ardh koha me kuptu secila grua, që ajo nuk është objekt zbukurimi, seksi e prodhimi.

Ndaloni ti kushtoni rëndësi dukjes së jashtme, por jepni rëndësi asaj që duhet me ia dhanë, kokës! Luftoni pak që ta merrni atë që ju takon, sepse të drejtat e juaja askush nuk ua jep, ju vet duhet ti merrni ato.

Gjendja e gruas te shqiptarët në përgjithësi është e mjerueshme. Nuk janë të arsimuara, nuk trashëgojnë, nuk gëzojnë asnjë privilegj njerëzor. Vlera e gruas qëndron vetëm te kilogramët e arit që ajo i vë në trupin e saj, flokëve të gjatë, linjave seksi, edhe aty përfundon.

Mungesa e madhe e arsimimit të grave, mbyllja e tyre nëpër shtëpi, trajtimi i tyre si vegla nën shërbimin e burrit, sigurisht ka bë që ato çdo rëndësi të ia kushtojnë vetëm dukjes. Edhe tash, që kanë një hapësirë ma të madhe të lëvizjes, janë të përqendruara vetëm tek fiziku. Fundja, në këtë shoqëri superpatriarkale, gruaja është objekt zbukurimi e kënaqësie, dhe si e tillë duhet të investojë aty ku e ka vlerën.

Pra, në dukje.

Por kjo nuk është ma e keqja, por është që gratë po vazhdojnë ta pranojnë këtë, duke e ndihmuar që edhe më tutje të zgjasë kjo gjendje e mjerueshme. Gratë janë mirëmbajtëset ma të mëdha të patriarkalizmit për momentin. Po refuzojnë me çdo kusht që ta ndryshojnë këtë gjendje.
Të gjitha gratë për momentin rëndësinë më të madhe i kushtojnë: martesës, fustaneve, dimijave, dallamave dhe arit dhe sigurisht mirëmbajtjes së patriarkalizmit. Secila vajzë e re është e dhënë pas grimit, thonjve, veshjes dhe stolive. Më së shumti gratë të kundërshtojnë dhe kritikojnë, kur dikush flet kundër dhunës së grave dhe të drejtave të tyre. Në asnjë grup, ku ka veç gra nuk e gjen një diskutim që do të ishte i dobishëm për ato dhe të ardhmen e tyre. (Normal, duke e përjashtuar një numër të vogël, këtu).

Edhe gratë, ma shumë se burrat bile, refuzojnë që vajzat të trashëgojnë, të shkollohen, të gëzojnë të drejta të barabarta me djemtë si në punësim e martesë e kudo. E mjerueshme është dëshira e tyre për me pas fëmijë djem, një trashëgimtar të fisit.

Pse? Çka po ua thotë mendja?

Dilni nga mendësia e dallamave e dimijave, kanaxheqeve e ditave të grave. Heqni dorë me u zbukuru si bredh dhe me konsideru veten si vegël e burrave.

Të dashura gra, ju jeni njerëz dhe jo objekte zbukurimi, seksi e prodhimi, andej edhe trajtojeni vetën si të tillë.” /Familjadheshendeti.com