Çrregullimet e të nxënit

Nga: Lorela Garuli, Psikologe

Jo të gjithë fëmijët që identifikohen nga mësuesit si nxënës të dobët ose dembelë e pa vullnet, janë të tillë. Ndodh që ata të jenë duke vuajtur një çrregullim dhe ky etiketim e të tjerë të ngjashëm, bëjnë që këta fëmijë të kenë një vlerësim të ulët për veten, ndihen të paaftë dhe si pasojë, janë të brishtë.

Çrregullimet e të nxënit kanë në thelb të gjithë proceset, mekanizmat që janë në themel të të studiuarit dhe të të nxënit, që janë tre: të lexuarit, shkrimi dhe vështirësi në matematikë. Të gjitha këto rezultojnë të jenë detyra komplekse për fëmijët, për shumicën dërrmuese të tyre, por edhe për ata që i mësojnë këto procese pa shumë vështirësi. Megjithatë, kur bëhet fjalë për çrregullimet e të nxënit, duhet të dimë që, për këta fëmijë e nxënës, shkronjat, numrat, rrokjet, fjalët, fjalitë, veprimet e thjeshta matematikore, të numëruarit etj., mund të kthehen në labirinte të vërteta, pra klasifikohen si çrregullime të të nxënit. Këta fëmijë shfaqin vështirësi apo dëmtime të ashpra në të gjitha këto aftësi që lidhen me këto lëndë shkollore: matematikë, lexim dhe drejtshkrim. Konkretisht, fëmijët që vuajnë një çrregullim lexojnë në mënyrë të pasaktë, shkruajnë në mënyrë të paqartë, nuk arrijnë të kuptojnë përmbajtjen e teksteve, kanë shumë gabime në përdorimin e numrave dhe llogaritjen e tyre, mbajtjen mend të shifrave dhe të procedurave të matematikës. Duhet specifikuar, se çrregullimet e të nxënit janë të lindura, mund të prekin çdo fëmijë pavarësisht statusit social-ekonomik, kërkojnë kohë dhe angazhim për t’u trajtuar dhe diagnoza për çrregullimin e disleksisë bëhet në përfundim të klasës së parë, ndërsa për diskalkulinë, fëmijës i jepet më shumë kohë dhe diagnoza, nëse do të kemi një të tillë, do të vendoset në fund të klasës së tretë.

Sa i përket shifrave të fëmijëve të prekur nga këto çrregullime në Shqipëri, nuk ka. Por për të krijuar një ide se cila është shpërndarja në popullatë e këtyre çrregullimeve, ne mund t’i referohemi statistikave që vijnë nga vendet e tjera, për shembull në Itali, në një studim të vitit 2012, rezultatet kanë treguar se shpërndarja e çrregullimeve të të nxënit është rreth 3.2%, që do të thotë përafërsisht 3 ose më shumë në 100 nxënës mund të vuajnë nga këto çrregullime. Duhet specifikuar që janë tre lloje çrregullimesh të të nxënit. Është disleksia, që është grupi më i madh, që ka të bëjë me leximin, është çrregullimi që lidhet me të shkruarin, disortografia dhe disgrafia, si dhe grupi i tretë, i matematikës që është diskalkulia. Shpeshherë, fëmijët nuk vuajnë vetëm nga një lloj çrregullimi. Disleksia, grupi i parë, më i përhapuri që mbizotëron, por ndodh që një fëmijë mund të vuajë nga të tre llojet e çrregullimeve ose prej dy prej tyre.

Çregullimet e të nxënit kuptohen dhe përkufizohen sipas manualeve psikologjike dhe në thelb të tyre, qëndron vështirësia në të nxënë dhe në përdorimin e shprehive akademike, sikurse e përmendëm më lart. Përtej shprehive shkollore, këta fëmijë ndeshin edhe shumë vështirësi psikologjike, si psh. vetëbesim të ulët, vetëkoncept jopozitiv, u duket vetja të paaftë, jo të zgjuar, sepse shohin që nuk po ndjekin dot ritmin e bashkëmoshatarëve të klasës, ndihen të brishtë emocionalisht, lodhen shumë shpejt, nuk kanë përqëndrim, nuk e duan shkollën, sepse nuk është një mjedis që i “mirëpret”.

Ata janë të vetëdijshëm që diçka nuk shkon mirë me ta, që etiketohen shumë. Duhet shpjeguar paralelisht me punën didaktike, arsimore dhe edukative, duhet bërë një punë shumë e madhe edhe në planin emocional, afektiv dhe psikologjik, duke i sqaruar që “ti do t’i mësosh të gjitha, do të kapësh ritmin e shokëve të klasës”, sepse ky është problem që fëmijët kanë. Ata shikojnë që të gjithë janë në të njëjtën klasë, marrrin të njëjtat instruksione dhe ky grup që vuan nga çrregullimi, e ka të vështirë të thotë një fjali nga fillimi në fund. Duhet t’i thuhet që janë inteligjentë njësoj si të tjerët, duhet t’i sqarohet se mënyra e të mësuarit nga njëri nxënës te tjetri është e ndryshme dhe për këtë ka nevojë për ndihmë. Dhe ndihma do t’i jepet! Gjithmonë duhet punuar me motivimin e këtyre fëmijëve.

Për sa kohë që një çregullim i lindur, neurologjik për shembull, nuk zhduket. Patjetër që kalon në një farë mase, zbehet, përmirësohet, rregullohet, evoulon, sepse çregullimi ndryshon. Mund të jetë më i rëndë në vitet e para të shkollimit, kur fëmija përballet në mënyrë direkte me të gjitha aftësitë dhe shprehitë që kanë të bëjnë me të nxënit. Me kalimin e kohës, nëse ka “fatin”, mbështetjen kryesore nga prindërit dhe mësuesit, atë që ne e quajmë aleanca edukative mes shkollës dhe familjes, pra marrëdhënia dypalëshe e bashkëpunimit prind-mësues, sigurisht që fëmija mund t’ia dalë mbanë që të ketë një përmirësim të dukshëm. Çështja është që, këtyre fëmijëve duhet t’u vijë në ndihmë edhe sistemi arsimor, struktura, sepse të paktën në vendet fqinje, ku këto çregullime janë të njohura me legjislacion, këta fëmijë kanë mënyra të ndryshme se si mësojnë, se si i nënshtrohen provimeve të maturës, pra kanë gjithmonë mënyra alternative se si e marrin informacionin. Sa i përket vazhdimësisë gjatë jetës, pas përfundimit të shkollës këto vështirësi mund të flenë, mund të jenë më të fshehura, por patjetër që shfaqen, në momente të caktuara të përditshmërisë, në varësi të situatave. Kur këta fëmijë rriten, janë në fazën e adoleshencës, por edhe më pas, ata studiojnë degë të ndryshme, sepse duhet të kuptojmë që këta persona janë inteligjentë njësoj si të tjerët. Çrregullimet do të vazhdojnë të jenë të pranishme, por gjenden rrugë alternative për t’ia lehtësuar informacionin që marrin nga shkolla.

E vërteta është se lidhur me këto çrregullime, mungon shumë informacioni dhe ndërgjegjësimi. Shumë herë janë mësuesit ata që nuk i kuptojnë dhe nuk dinë t’i evidentojnë dhe kjo sepse tek ne mungon informacioni, mjetet, teknikat, instrumentet e nevojshëm për të identifikuar këta fëmijë dhe për të kuptuar realisht problematikën që kanë. E njëjta situatë është edhe në familje. I gjithë ky presion psikologjik, dhe i gjithë ky moskuptim për situatën e tyre, rëndon sigurisht mbi supet e fëmijës, i cili ndihet i demotivuar, nuk ndihet inteligjent, e shumë elementë të tjerë. Shumë herë e identifikojnë si indiferent, si një fëmijë që nuk do të mësojë, si një fëmijë që neglizhon mësimet, si një fëmijë dembel. Këto janë etiketimet, por në fakt e vërteta nuk është kjo.

Ka raste kur prindi arrin të identifikojë vështirësitë dhe ia raporton mësuesve, ose anasjelltas. E rëndësishme është që mësuesi të tregojë profesionalizmin e duhur dhe prindi, bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e duhur, sepse në shumicën e rasteve nuk arrijnë ta kuptojnë atë që po ndodh. Me këta fëmijë nuk është e vështirë që të punosh. E rëndësishme është që puna të jetë sistematike dhe e vazhdueshme. Nëse një fëmijë identifikohet dhe ndjek terapinë e duhur, disa herë në javë, patjetër që ka përmirësime. /Familjadheshendeti.com