Nga Shpresa Rupar, eksperte ne fushën e zhvillimit personal dhe profesional

A e keni vënë re që ndonjëherë një grua mishëron gjithçka? Sa e sheh ajo me shëmbëlltyrën e saj të kujton gjyshen, nënën, motrën, miken, vajzën, veten tënde?

Çfarë më kujton kjo grua?

Më kujton gruan shqiptare, atë grua që shpesh i ka munguar apo ende i mungon dashuria (jo thjesht prekjet, përqafimet apo përkëdheljet e natës), por shumë më tepër se kaq.
Më kujton lëkurën e reshkur nga dielli përvëlues.
Më kujton gurmazin e tharë për pakëz ujë.
Më kujton supet e kërrusura nga pesha e jetës.
Më kujton atë dorën e zgjatur në ajër, atë dorë që do të shplodhet diku apo t’ja kapi dikush dhe ti japi një prekje qoftë përciptas, por atë dorë të eshkët dhe të çarë nga ujrat dhe balta e fushave nuk do ta prek njeri se ju vjen ndot – as i biri i saj.
Më kujton atë zë të lodhur që do të thotë diçka, por asnjë ska kohë ta dëgjojë.
Më kujton ata lotë që rëshkasin faqeve, janë lot dhimbjeje, janë lot të luftërave të përditshme.
Më kujton ata sy që me vitet kanë humbur shkëlqimin.
Më kujton atë pasiguri dhe dhimbje që shprehin sytë, pavarësisht se mundohet ta fshehi, por harron, harron që sytë flasin.
Më kujton atë forcë dhe bukuri të venitur brenda shpirtit të rraskapitur në vite.
Më kujton kafazin, ku ende jetojnë shumë gra, pavarësisht “lirisë” aty jashtë.
Më kujton atë maskën e bukur veneciane, por edhe lojën e pistë pas kësaj maske.

Më kujton kokën e ulur nga turpi;

nga turpi se ndihet e dashuruar,
nga turpi se nuk mund të vishet sipas modës së fundit,
nga turpi se ka ëndërra që jo gjithkush i kupton,
nga turpi i humbjes së zemrës,
nga turpi i asaj të qenit ndryshe,
nga turpi se nuk ecën në rrugën ku shkon shumica,
nga turpi se shpesh qesh dhe sillet si fëmijë,
nga turpi se është romantike,
nga turpi se ka ikur fshehurazi nga shtëpia me djalin e zemrës,
nga turpi se është martuar me mblesëri,
nga turpi se kundërshton prindërit, burrin, shefin,
nga turpi se bashkëshorti e tradhëton,
nga turpi se babai apo burri është pijanec,
nga turpi se prapë është shtatëzanë,
nga turpi se ka lindur një fëmijë me probleme shëndetësore,
nga turpi se ka humbur punën (nuk plotësoi dëshirat e shefit që i përdor gratë me radhë si mall pazari),
nga turpi se sapo është divorcuar,
nga turpi se nuk është e lumtur,
nga turpi i lojërave të pista, pavarësisht se nuk është loja e saj,
nga turpi i mosdijes,
nga turpi i skamjes,
nga turpi i pasurisë,
nga turpi se shpesh do të fshihet diku, të iki, të iki larg rrëmujës dhe zhurmës shurdhuese,
nga turpi që shijon momente të bukura kur në botë ka luftë,
nga turpi e të qenit vetëvetja,
nga turpi……nuk e di se çfarë.

Më kujton atë grua që ka humbur çdo dëshirë të jetojë.

Më kujton gruan që i dridhet zëri për ato fjalë që nxjerr nga goja.
Më kujton frikën që ka se është e ndjeshme, shumë e ndjeshme.
Më kujton frikën se është e ftohtë, nuk di të shprehi ndjenjat e saj,
Më kujton frikën që ka të dashurojë.
Më kujton frikën nga humbja e dashurisë,
Më kujton frikën që ndjen nga arritjet,
Më kujton frikën nga nga humbja e pasurisë,
Më kujton frikën nga humbja e familjes,
Më kujton frikën nga humbja e prindërve,
Më kujton frikën nga humbja e vendit të punës,
Më kujton frikën nga ndërrrimi i qeverive,
Më kujton frikën e të qenit e lirë,
Më kujton frikën e të qenit skllave,
Më kujton frikën e trajtimit si lodër seksi,
Më kujton frikën e humbjes së besimit,
Më kujton frikën se nuk do ketë kohë për gjithçka,
Më kujton frikën se nuk do jetë nënë, grua e denjë,
Më kujton frikën nga e djemshmja, nga e sotmja, nga e nesërmja,
Më kujton frikën nga lindja,
Më kujton frikën nga vdekja,
Më kujton frikën  nga dhuna.
Më kujton frikën nga përmbytjetet,
Më kujton frikën nga i ftohti i dimrit,
Më kujton frikën nga thashethemet,
Më kujton frikën nga sëmundjet,
Më kujton frikën se nuk e di çfarë do t’ju japë nesër fëmijëve per drekë…..

A ka më keq!

Sa mundet të mbajë ende kjo grua shqiptare!
Sa mundet të mbajë kjo vajzë e re e dhunuar!
Sa mundet të mbajë kjo nënë e stërmunduar!
Sa mundet të mbajë më kjo grua e trajtuar thjesht si mall pazari!
Sa mundet të mbajë kjo grua pa kushtet minimale të jetesës!
Sa mundet të mbajë më kjo grua shfrytëzuar, e hedhur si leckë!
Sa mundet të mbajë kjo bashkëshorte me burrë por pa zot shtëpie!

Sa mundet të mbajë më kjo grua e harruar dhe e injoruar nga të gjithë, qoftë dhe nga ata të cilët kanë qenë bota e saj?!

A nuk është koha që ti grua të thuash mjaft?
A nuk ësht koha që ne gratë ti japim dorën njëra – tjetrës?
A nuk është koha që ti besosh më shumë vetes?
A nuk është koha që gruaja që ka dalë mbi këto situata të zgjasi më shpesh dorën drejt kësaj gruaje?
A nuk ësht koha që ti besojmë më shumë njëra-tjetrës, edhe atëhere kur të gjithë mund të thonë ti nuk di se ç’bën?
A nuk është koha të eci çdo grua me kokën lart në rrugën e saj?
A nuk është koha që ti grua ti shprehësh ndjenjat e tua hapur?
A nuk është koha të largohesh nga muret e akullta të ngritura nga njerëzit, sepse pa ndjenja besoje asnjë dashuri nuk mbijeton?
A nuk mjafton vetëm një moment në jetë dhe gjithcka ndryshon?

Vjen një valë dhe gjithë deti apo oqeani ndryshon. Në këtë jetë asnjë gjë nuk është e përjetshme, por nëse pret përjetësisht që këto gjëra ti ndryshoj dikush jashtë qenies tënde, nëse pret me sytë mbyllur me shpresën se kjo pamje do ndryshojë, me shpresën se ditë më të mira do të ofrojë pikërisht ai apo ata që të kanë imponuar zgjedhjet e deritanishme, mikja ime e ke gabim, mikja ime hapi sytë më shumë, mikja ime lufto – ti po lufton edhe tani -, por lufto për veten, lufto të ngresh rrugën tënde se vetëm ti e di sa e etur je për gjithçka më sipër, lufto se para të gjithëve dhe gjithçkaje je ti, janë ndjenjat e tua. Pasi ndryshimi asnjëhere nuk vjen nga jashtë, ne ndryshojmë nëse ndryshojmë në brendësi dhe nëse këtë ndryshim do dimë ta përçojmë mundet, mundet që kjo shembylltyrë e gruas më sipër të jetë komplet tjetër, kjo shembyllturë e gruas më sipër të jetë ajo që nuk jeton më brenda qelisë së frikës, brenda qelisë së pamjaftueshmërisë, brenda qelisë së territ, brenda qelisë së turpit.

Ndoshta është koha ti tregosh vajzës tënde, ti tregosh mikes, ti tregosh motrës, ti tregosh nënës por mbi të gjitha ti tregosh vetes që brenda qelisë, sado lluksoze të jetë ajo nuk do jetosh më, pasi ndoshta deri dje na kanë mësuar të kemi frikë nga vetë ekzistenca si femër duke na kthyer në skllave, skllave pa zinxhirë.

E dashur grua, shembylltuara e gruas më sipër, është vetëm vendimi yt i vetëdijshëm, vendim për të thyer këta zinxhirë, sepse ti mund të jesh e lirë, sepse ti nuk mundet të jesh më skllave me apo pa zinxhirë – ku është ndryshimi në fund të fundit….