Shkruan: Prof. Ferdi Kamberi, sociolog

Ne sot festojmë ditën e gruas por fatkeqësisht kemi dështuar ta mbrojmë atë;

Ne sot festojmë ditën e gruas por kemi dështuar që t’i dënojmë kriminelët të cilët ushtruan dhunë, dhunime, vrasje, gjenocid ndaj saj;

Ne sot festojmë ditën e gruas, por kemi qenë shpeshherë spektator ndaj padrejtësive që janë bërë ndaj saj;

Ne sot festojmë ditën e gruas, por kemi lejuar që të shkelet dinjiteti i saj;

Ne sot festojmë ditën e gruas, por kemi lejuar që brenda një viti të ketë mbi 1000 raste të dhunës në familje, përfshirë edhe fëmijët;

Ne sot festojmë ditën e gruas, por akoma nuk ka ndarje të barabartë të pasurisë në mes të dy sekseve brenda familjes;

Ne sot festojmë ditën e gruas, por akoma nuk e kemi trajtuar ashtu siç e meriton ajo;

Ne sot festojmë ditën e gruas, por ajo akoma nuk gëzon një mirëqenie ashtu siç gëzojnë gratë në vendet tjera;

Ne sot festojmë ditën e gruas, por kemi harruar se ajo është shtyllë fundamentale e familjes;

Ne sot festojmë ditën e gruas, por kemi harruar se ajo pati një rol të madh në ruajtjen e familjes, nderit, traditës dhe vlerave shqiptare në kohët më të vështira;

Ne sot festojmë ditën e gruas, por kemi harruar se festë nuk duhet të jetë vetëm një ditë, por festë duhet ta ketë gjithë jetën;

Ne sot festojmë ditën e gruas, por ajo shpeshherë ngacmohet seksualisht;

Ne sot festojmë ditën e gruas, por gruaja akoma paraqitet si objekt i shfrytëzimit seksual në mediet tona;

Ne sot festojmë ditën e gruas, por në medie më shumë kanë hapësirë burrat dhe se sa gratë;

Ne sot festojmë ditën e gruas, por burrat më shumë përfaqësohen në institucionet publike se sa gratë;

Ne sot festojmë ditën e gruas, por në komuna nuk kemi asnjë kryetare grua;

Ne sot festojmë ditën e gruas, por më shumë e gjykojmë veshjen e saj se sa profilin moral dhe intelektual të saj;

Ne sot festojmë ditën e gruas, megjithëse sot duhet të protestuar paqësisht dhe simbolikisht për një pozitë më të mirë të gruas në shoqëri, për një pozitë të cilën me krenari duhet ta mbartë gruaja, për një pozitë e cila reflekton mbi parimet e drejtësisë dhe barazisë sociale…! /www.familjadheshëndeti.com